E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcat politike duhet të jenë më transparente

10/06/2009  “Transparency International Albania” kërkon llogari nga partitë pjesëmarrësve në zgjedhje

“Qeveria të publikojë listën përfituesve të fondeve publike për të verifikuar kontributet në fushatë”

Dega e Shqipërisë së organizatës ndërkombëtare “Transparency International” kërkon nga partitë politike shqiptare të jenë më transparente gjatë gjithë procesit zgjedhor. Në një deklaratë për mediet përfaqësues të “Transparency International Albania” bëjnë me dije problemet që po shoqërojnë gjithë klasën politike, duke vënë theksin në mungesën e transparencës së subjekteve zgjedhore përballë elektoratit është tepër i ulët. Duke iu drejtuar partive politike “Transparency International” kërkon rritjen e transparencës financiare, por edhe të asaj që lidhet drejtpërdrejt ne përbërjen e listave të kandidatëve dhe me programet elektorale të tyre. “TIA vëren se publiku është njohur në mënyrë krejt sipërfaqësore me programet elektorale, ku jo rrallë është vënë në dyshim dhe ekzistenca e tyre. Ne vlerësojmë se është shumë e rëndësishme që publiku të njihet me programin e partisë për të cilën do të votoj, prandaj u kërkojmë partive politike që të publikojnë programin e elektoral me të cilin ato synojnë të qeverisin vendin”, - thuhet në qëndrimin e degës së Shqipërisë së organizatës. Gjithashtu “Transparency International Albania” kërkon nga qeveria që të publikojë listën e personave juridik që kanë përfituar fonde publike, ose kanë qenë partner me fonde publike gjatë katër vjetve të shkuar, në mënyrë që të verifikohet nëse këto subjekte po kontribuojnë në fushatën zgjedhore në shkelje të ligjit. “Transparency International” vlerëson se rritja e transparencës gjatë fushatës zgjedhore rrit mundësinë për të pasur një parlament më cilësor, të përbërë nga deputetë që për mandatin e tyre u detyrohen vetëm qytetarëve që i kanë zgjedhur. Sipas përfaqësuesve të organizatës, partitë duhet të bëjnë transparencën e financave. Sipas tyre, në respektim të Kodit Zgjedhor partitë duhet të publikojnë regjistrin e posaçëm ku do të regjistrohen personat që dhurojnë më shumë se 100 mijë lekë, si dhe të bëjnë publik numrin e llogarisë bankare ku do të depozitohen këto financime. Duke u ndalur te hartimi i listave të kandidatëve për deputetë, “Transparency International” ka konstatuar se janë kryer pa konsultime me publikun, pa pjesëmarrjen e strukturave vendimmarrëse të partive, pa debat brenda partive dhe/apo me elektoratin. Për “Transparency International” dorëzimi i këtyre listave në prag apo përtej afateve ligjore ka demonstruar hapur dobësinë e këtij sistemi të ri zgjedhor, si dhe dobësimin e demokracisë pjesëmarrëse brenda partive më të mëdha në vend. Duke kërkuar publikimin e jetëshkrimit të secilit kandidat, “Transparency International” thotë se kështu krijohet mundësia e verifikimit nëse ka kandidatë që garojnë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit. “Gjejmë vendin t’ju bëjmë thirrje partive politike që t’ju kërkojnë kandidatëve të tyre të japin dorëheqjen nga postet e papajtueshme me mandatin e deputetit, duke mos përdorur pushtetin për të ndikuar në fushatën zgjedhore”, - mendon TIA.

Problemet e mëdha

“Transparency International Albania”, kërkon nga partitë politike të bëjnë publike shpenzimet e tyre financiare për aktivitetet elektorale në funksion të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Transparency International” thekson se po fshihen financimet private të partive në mitingjet festive. “TIA u drejtohet partive politike me disa kërkesa konkrete për rritjen e transparencës financiare”, - thuhet në deklaratën e kësaj organizate. Po ashtu problem mbetet edhe bërja e transparencës së listave të kandidatëve për deputetë dhe të programeve elektorale të forcave politike pjesëmarrëse në fushatën zgjedhore. “TIA vëren se publiku është njohur në mënyrë krejt sipërfaqësore me programet elektorale, ku jo rrallë është vënë në dyshim ekzistenca e tyre. Ne vlerësojmë se është shumë e rëndësishme që publiku të njihet me programin e partisë për të cilën do të votoj, prandaj u kërkojmë partive politike që të publikojnë programin e elektoral”, - thekson “Transparency International”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›