E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcë e qendrës së djathtë, liberale në koncepte, perëndimore në vizion

19/02/2009  Spartak Ngjela bën publik programin politik të partisë “Ligj dhe drejtësi”

Spartak Ngjela ka bërë publik për herë të parë programin e partisë së tij “Ligj dhe drejtësi”. Në konferencën e djeshme për shtyp ai shoqërohej nga deputeti Gilman Bakalli, që ka marrë postin e sekretarit të përgjithshëm. Sipas tyre, PLD-ja do të jetë një forcë politike e orientuar drejt qendrës së djathtë të politikës shqiptare dhe në objektivat e tyre janë çështje kryesisht ekonomiko-financiare, të drejtësisë, të pronës dhe dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë. “Kërkojmë dhe jemi në kontakt me njerëz me personalitet në shoqërinë tonë. Ne nuk na duhen as servilë, as njerëz për një rrogë, ne duam njerëz që të kenë vizion. Kemi filluar një rrugë e cila do të zgjasë 40 vjet, 50 vjet, nuk kam marrë një parti që do të jetë si kërpudhë, që pas shirave humbet. Jo, kemi menduar dhe mendojmë që të ngremë një parti të spektrit të qendrës së djathtë, liberale në koncepte, perëndimore në vizion, demokratike në substancë dhe që ngre personalitetin e njeriut”, - ka deklaruar kryetari Ngjela. Duke u ndalur në zbatimin e ligjit në vend, Ngjela theksoi se në vendin tonë funksionon vetëm 17 për qind e ligjit. Nisur nga kjo situatë, kreu i PLD-së tha se ka kapur kontradiktat thelbësore të jetës vendase. Ngjela dhe Bakalli gëzojnë sot postin e deputetit në Parlamentin shqiptar falë mbështetjes politike që patën nga Partia Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005. Sa u përket zgjedhjeve të ardhshme të 28 qershorit, Ngjela theksoi se aleancat më të rëndësishme parimisht do t’i krijojë me Partinë Demokristiane të drejtuar nga Nard Ndoka dhe me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar të Dashamir Shehit. Nga ana e tij numri dy i PD-së, Bakalli, deklaroi se ish-të përndjekurit e ish-pronarët janë mbështetësit natyralë të PLD-së. Por në këtë bashkësi mbështetësish të PLD-së ai fut edhe atë kategori njerëzisht që politika i ka mbajtur larg kutive të votimit. “PLD-ja mendon se krijon risi në këto çështje: në organizimin e tregut, të sistemit financiar dhe atij bankar, si dhe në të gjitha aspektet e tjera të jetës ekonomike në vend. PLD-ja njeh të gjitha detyrimet që shteti shqiptar u ka të gjitha shtresave të mëposhtme: dëmshpërblimin e të gjithë të persekutuarve të regjimit komunist, kthimin e pronës ose dëmshpërblimin e pronarit të ligjshëm të shpronësuar gjate regjimit komunist”, deklaroi sekretari Bakalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›