Formalizimi i financimeve në prag të fushatës zgjedhore
Ekziston një problem i veçantë që shoqërohet me konceptin e interesit publik dhe manifestimin e tij në jetën parlamentare, së cilës i kanë kushtuar vëmendje të gjithë mendimtarët e shquar dhe fatkeqësisht askush nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje përfundimtare. Problemi është ky që: është e vështirë të pranosh se ato që ngarkohen me formulimin dhe mbrojtjen e interesit publik nuk do të nxisin në fakt interesat tyre ose të paktën interesat e atyre me të cilët kanë më shumë marrëdhënie. Ky devijim i përfaqësimit të interesit publik është justifikuar me prirjen egoiste të njeriut, si dhe influencën në rritje e grupeve mbështetëse që kanë mundësuar mandatimin e këtyre deputetëve. Kjo situatë degradon edhe më shumë kur këto marrëdhënie bëhen të domosdoshme si pasojë e pamjaftueshmërisë së fondeve në njërën anë dhe kostove në rritje që dikton organizimi i fushatave sipas parametrave të kohës nga ana tjetër. Kjo nevojë për bashkëpunim është materializuar në të dyja fushatat e fundit, ku partitë politike kanë arritur të financojnë vetëm gjysmën e shpenzimeve të tyre me të ardhurat që përftojnë nga buxheti i shtetit dhe kuotacionet e anëtarëve, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar nga biznese dhe individë të ndryshëm, që një pjesë e mirë e tyre nuk janë bërë publike. Këta individë nëpërmjet mbështetjes në rrugë zyrtare dhe jozyrtare u kanë ofruar mjete financiare partive politike për organizimin e fushatave të suksesshme, si dhe nëpërmjet rrjetit të organizuar të interesave në terren kanë ndihmuar në sigurimin e votave në zgjedhje. Ndërsa partitë politike kanë bërë publike vetëm një pjesë të këtij kontributi, duke fshehur pjesën tjetër të financimit. Kjo mungesë transparence është denoncuar edhe nga institucione ndërkombëtare dhe kombëtare. Raporti i publikuar nga organizata “Transparency Internacional Albania”, i cili i referohet zhvillimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2007, denoncon akte të rënda në drejtim të zbatimit të ligjit, si nga partitë politike, ashtu edhe nga organet e kontrollit. Partitë politike në kundërshtim me Kushtetutën dhe detyrimet ligjore, financohen në cash, duke shmangur veprimet bankare dhe nuk dorëzojnë bilancet përkatëse në zyrën e tatimeve. Ndërsa për sa i përket Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si organe të autorizuara me ligj për të kontrolluar financimet partiake, vërehet një mungesë vullneti në ushtrimin e kompetencave. Padyshim, këto rrethana influencojnë në vazhdimësi mbi mënyrën se si Parlamenti i përmbushë detyrimet e tij përball elektoratit. Pasi në proceset politike në mënyrë (ind)direkte fillojnë të përfshihen apo dukshëm në të ndikojnë struktura të organizuara të dyshimta për llojin e aktivitetit që zhvillojnë, duke e orientuar punën e Parlamentit në përmbushjen e interesave të një grupi të kufizuar. Procesi i sjelljes së vendimeve politike bëhet jotransparent, ku rolin kryesor në të e luajnë qendrat joformale të fuqisë ekonomike. Dhe në këto kushte formulimi i ligjit i adresohet më shumë këtyre interesave sesa atyre të opinionit publik. Gjithashtu, kjo marrëdhënie nxjerr në pah një fenomen, i cili lidhet me ambicien e individëve të pasuruar në rrugë të dyshimta për të kandiduar në emër të partive politike si dhe gatishmërinë e partive për të tërhequr në listën e kandidatëve të saj biznesmenë, që mund të përballojnë kostot financiare të fushatës. Këta biznesmenët politikanë kanë krijuar një lloj të ri modeli në politike, sipas të cilit, nuk kanë rëndësi parimet dhe programet politike përpara qëllimit final për të siguruar pasuritë dhe kapitalin financiar nëpërmjet imunitetin parlamentar. Në këto kushte transparenca e burimeve financiare në prag të zgjedhjeve të përgjithshme përbën një çështje me shumë rëndësi për mirëfunksionimin e vendimmarrjes dhe përfaqësimit të interesave të një grupi sa më të gjerë. Në parim juridiksioni tek rregullimi i këtij “këmbimi të fshehur” mbetet i pafuqishëm dhe jashtë lojës “politiko-juridike”, edhe kur mundohet t’i identifikojë dhe kufizojë transaksionet financiare të lidhura me grupet e interesit. Aq më shumë kur këto raporte në shumicën e rasteve janë informale dhe në mungesë të plote transparence. Në këto rrethana, me të drejtë ngrihen disa pyetje që pritet të marrin përgjigje nga formulimi i një kuadri ligjor që do të mund të formalizonte këto marrëdhënie: si dhe sa janë të përshtatura sistemet juridike dhe kushtetuese me realitetin e ndryshueshëm shoqëror? Sa efektive, aktive dhe të suksesshme janë këto sisteme juridike në rregullimin e proceseve dhe veprimtarive të ndryshme financuese? Sa të konsoliduara janë institucionet e autorizuar me ligj për të kontrolluar financimet partiake? A ekziston një vullnet politike për të bërë transparencën e burimeve financiare? I shtrojmë këto pyetje për arsye se sistemi që duam të ndërtojmë, jo vetëm për t’u integruar, por në radhë të parë për të garantuar përfaqësimin e interesave, nuk mund të jetë i qëndrueshëm, pa ndryshuar standardet dhe mentalitetin tone mbi mënyrën e bashkëpunimit ndërmjet politikës dhe elektoratit. Ky kontakt nuk mund të vazhdojë më sipas parimeve dhe instinkteve, ku individët apo grupe të caktuara zakonisht ndërtojnë marrëdhëniet e tyre personale dhe shoqërore. Por duhet që ky bashkëpunim të formalizohet dhe të monitorohet nga organet përkatëse. Prandaj del si detyrim për qeverinë që në bashkëpunim me aktor të tjerë politikë të ndërmarrë një reformë të thellë në drejtim të transparencës së burimeve financiare, si kushte për minimizim të fenomeneve të lartpërmendura. Aq më shumë kjo reformë pritet të ndërmerret nga kjo qeveri, edhe për faktin se ka shprehur një angazhim publik në luftën ndaj këtij fenomeni.