Obama-Bajden - Çfarë ofron kandidatura presidenciale e demokratëve
Me fushatën elektorale që po zhvillohet për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, dyshja e demokratëve ka shpenzuar kohë së fundmi për të qartësuar mesazhin për klasën punëtore. Senatorët Barak Obama dhe Xho Bajden po flasin për ekonominë dhe vendet e punës. Të dyja këto janë tema, për të cilat ata thonë se kandidati republikan Xhon Mekein nuk ka ofruar asnjë zgjidhje. Ekspertët politikë e shohin këtë si temën kryesore të demokratëve, duke shtuar se përvoja e tyre i bën ata më të kualifikuar për postin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Fry, i hedh një vështrim portretit të dy demokratëve dhe mesazhit të tyre, ndërsa fillojnë dy muajt e fundit të garës për në Shtëpinë e Bardhë.
Një i papunë në fabrikat e automobilave prezantoi kandidatin demokrat për President në Miçigan, qendra e kësaj industrie në rënie. Me disa makina hibride amerikane në sfond, senatori Obama tha se papunësia në Miçigan është mbi 12 për qind. Kjo shifër është sa dyfishi i nivelit kombëtar.
"S’ka nevojë t’u thuash njerëzve në Flint apo në Miçigan se ekonomia ka rënë. Por këtë duhet t’ia themi Xhon Mekeinit", - tha senatori Obama.
Partia Republikane doli e rigjallëruar nga kuvendi në Seint Pol të Minesotës me senatorin Mekein dhe kandidaten për nënpresidente, guvernatoren e Alaskës, Sarah Pejlin. Ata madje dolën edhe kundër partisë së tyre për të ndryshuar mënyrën se si punon Uashingtoni.
Të nesërmen, kandidati demokrat për nënpresident, Xho Bajden, përçoi në Filadelfia mesazhin e partisë së tij për ndryshim për amerikanët e thjeshtë.
"Heshtja e Partisë Republikane ishte shurdhuese. Ishte shurdhuese për vendet e punës, kujdesin shëndetësor, ambientin dhe të gjitha çështjet që shqetësojnë njerëzit në lagjet ku unë u rrita", - tha zoti Bajden.
Eksperti i strategjisë së fushatave, Xhon Sajds, profesor në Universitetin “Xhorxh Uashington”, e sheh qartë temën kryesore të demokratëve qysh në këtë fazë të partë të fushatës.
"Mendoj se po shohim plotësisht të qartë strategjinë e demokratëve për në zgjedhjet e përgjithshme. Çështja numër një në mendjen e njerëzve është ekonomia".
Përqasja e të dy demokratëve në fushatë vjen nga biografi të ndryshme. Senatori Obama – djalë i një nëne nga Kansasi dhe një babai nga Afrika është diplomuar në Harvard për Drejtësi. Ai braktisi pagën e lartë për të punuar me komunitetet me të ardhura të pakta në Çikago.
Megjithëse ka tri dekada në Senat, zoti Bajden ende e vë theksin tek rrënjët e tij në klasën punëtore. Muajin e kaluar, zoti Bajden e vuri këtë aspekt në dukje, duke takuar miqtë e tij në trenin që merrte çdo ditë nga Uashingtoni për në shtëpinë e tij në shtetin Delëuer.
"Prejardhja e tij nga klasa punëtore, djali i një familjeje të tillë, i jep atij diçka ndryshe nga biografia e veçantë e zotit Obama".
Zoti Bajden ka shërbyer si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe ka mjaft përvojë në politikën e jashtme.
Eksperti Stefen Hes thotë përvoja e zotit Bajden krijon balancën e duhur.
"Ai di shumë rreth botës, ndoshta më shumë nga çdo senator tjetër amerikan. Kjo ishte një fushë ku Barak Obama u sulmua më tepër. Kështu që Bajden e forcon pozitën e demokratëve".
Megjithatë zoti Bajden do të përballet me atë që disa e shohin si një detyrë delikate në debatin që do të ketë me politikanen e re Sara Pejlin, përvoja e të cilës nuk është aq e madhe.
"Ajo do të gjykohet – mendoj, në të njëjtën mënyrë si unë. Çfarë di ajo? Çfarë mendon? Cilat janë arritjet e saj", - thotë zoti Bajden.
Këtë javë, ndërsa zoti Obama vizitoi një grup të klasës punëtore në Pensilvani dhe zoti Bajden foli në Florida me një grup votuesish hebrenj dhe pensionistësh, - demokratët u radhitën të dytët në anketat e opinionit që u zhvilluan pas kuvendeve të dy partive.
Të martën, zoti Obama u përgjigj për rezultatet e anketimeve.
"Do të na duhet të shohim si do të shkojnë gjërat gjatë javëve të ardhshme kur njerëzit të fillojnë e të analizojnë se kush do të zgjidhë problemet që i shqetësojnë ata".
Zoti Obama tha se mirëpret debatin. Ai vlerëson se së bashku me Xho Bajdenin janë më të kualifikuar sesa republikanët për të sjellë ndryshim.