Loja 0 !?
1.“Homo homini lupus est”(“Njeriu për njeriun është ujk”)
Vitin akademik që kaloi u shfaqa studentëve të psikologjisë, në lëndën “Psikologji arti”, në një kinema të qytetit, filmin “Hannibal lecture 3”, të cilin ma propozoi një mik imi i mirë, Denis Ilija, që studion Shkenca politike në Hanover, Gjermani dhe tashti po përfundon Masterin.
Filmi ka vlera të mëdha psikologjike dhe artistike. Anthony Hopkins luan shkëlqyeshëm artistikisht e psikologjikisht rolin e kanibalit dhe fenomenin e kanibalizmit që është një çrregullim psikofizik, që ekziston në pavetëdijen njerëzore të gjithsecilit.
Ka shumë mundësi që tabuja e kanibalizmit i ka bazat e saj në gjenetikë dhe është proces degjenerues.
Çdo individ e kalon fazën orale dhe e njeh fillimisht botën me anë të gojës. Por kanibalët ngelin në këtë stad. Patologjia e këtij impulsi çon në kanibalizëm kriminal.
Jo rastësisht kinematografia ka arritur ta transformojë në një spektakël të madh të pasur me imagjinatë. Duke u nisur nga lashtësia, ku kanibalizmi kishte funksion simbolik, nuk mund të themi që veprimet e Hannibal Lecture, psikiatrit antropofag, të ishin veprime simbolike.
Figura psikologjike misterioze dhe për shumë anë jashtëzakonisht tërheqëse e doktor Lecture paraqitet para syve tanë si prototipi i kanibalizmit, tronditës me çmendurinë e tij në të cilën janë të ndërthurura tre elementë: inteligjenca, mizoria dhe dashuria.
Nuk kam ndërmend të shkruaj më shumë për përmbajtjen e filmit, vlerat artistike ose regjinë, por po shkruaj për një aspekt i cili më ngjau të nesërmen me studentët.
Një ditë mbasi shikuam filmin u dhashë një detyrë studentëve në orën e leksionit të psikologjisë së artit, që të “pikturonin” imazhin e “Kanibalit” në film dhe kanibalizmin si çrregullim psikofizik.
Ky test i anës joverbale të individit, është element identifikues psikologjik, për të testuar idetë, imagjinatën dhe imazhet e individit me vetëshprehje me pikturë.
Shumica e studentëve e pikturonin ose vetëshprehnin figurën e kanibalit nëpërmjet “artit të tyre”, duke e identifikuar me të keqen njerëzore dhe e pikturonin si diçka e çrregullt, me forma të çrregullta dhe agresive dhe ngjyra të errëta etj.
Por njëri prej tyre më pëlqeu më shumë me argumentimin, imagjinatën ose me imazhin nëpërmjet vetëshprehjes së tij me pikturë, pasi e pikturoi kanibalin dhe çrregullimin e kanibalizmit si një “Palmë e vetmuar në shkretëtirë”, që ishte sipas tij, imazhi dhe simbolika e filmit.
Njëkohësisht, me një e-mail, e pyeta Denisin, mikun tim, se si do ta pikturonte kanibalin dhe kanibalizmin? Ai shkruante:
“Në lidhje me pikturën, do të thosha se sa herë më bien ndërmend “Hannibal Lecture” e bëj lidhjen direkte me një ndër teoritë më të famshme të politikës ndërkombëtare Realizmin dhe Neorealizmin.
Kjo teori ka si përfaqësues të spikatur Hans Joachim Morgenthau dhe e merr si pikënisje në sqarimet dhe argumentimet e saja “natyrën dhe anën negative të personit” .
Shkas për këtë është bërë sentenca e një prej pionierëve të realizmit në periudhën kapërcyese nga Mesjeta në Kohën e Re, Thomas Hobbes (një mendje gjeniale e teorisë politike) i cili përveç të tjerash, ka mbetur në histori për thënien e famshme: “Hommo homini lupus est” - “Njeriu për njeriun është ujk”.
Këtu merr shkas edhe teoria realiste, secili e siguron veten duke i marrë atë që i mungon për sigurinë e tij diçka, një personi tjetër (Selbstsicherung), në rastin e Lecture duke marrë jetën tjetrit.
Kjo përbën edhe thelbin e “Nullsummenspiel” ose Loja zero!
Prandaj do ta pikturoja kanibalin si ujk i vetmuar!”
2. “Nullsummenspiel”(Loja barabar)
Loja barabar ose “zero” e bazuar mbi teorinë e Hobbes, ose kompensimi i një diçkaje që të mungon, duke ia marrë tjetrit për të siguruar veten tënde, është “filozofi realiste” e cila ka gjetur pak a shumë zbatim në këto 2000 vitet e fundit.
Në shumë raste shoqëria njerëzore është përballur me fenomenin e marrjes të asaj që i mungon një individi, një kombi, një race ose një grupi të caktuar tjetër shoqëror.
Lufta e paqja, e mira dhe e keqja, e madhërishmja dhe e shëmtuara e kanë shoqëruar njerëzimin prej mijëra e mijëra vitesh.
Sipas kësaj teorie, në momentet historike të caktuara njerëzimi vetëdijshëm ose pavetëdijshëm dhe i detyruar e ka zbatuar këtë “teori filozofike e psikologjike” në praktikë.
Në historinë e re kompensimet politike, ekonomike dhe gjeopolitike, pavarësitë pavarësisht nga forma e realizimit, ndryshimet shoqërore dhe politike, janë realizuar shpesh të mbështetura edhe në teorinë e mësipërme të “realizmit ose neorealizmit”.
Evolucioni, revolucionet, luftërat civile, humbja dhe fitorja, jeta dhe vdekja, kapitalizmi dhe socializmi kanë sjellë njerëzimit pak a shumë atë që quhet lojë e barabartë ose “zero”
Në planin psikologjik ka shumë fenomene që kanë për argument këtë teori si p.sh.: Pavetëdija dhe vetëdija ose çrregullime të caktuara psiko-fizike, kanë funksionuar pak a shumë si një “lojë” e barabartë”.
Në konceptin e të menduarit përballemi me të menduarin pozitiv dhe atë negativ.
Mendimi pozitiv bën të mundur balancimin e performancës personale të individit.
Balancimi i të menduarit sjell stabilitetin personal, prandaj mendoni pozitivisht!
3. Teoria realiste dhe neorealiste e politikës
Politika realiste dhe neorealiste merr për bazë anët negative të individit. Morgenthau ishte përfaqësuesi i kësaj rryme, rrymë e cila i referohet Hobbes.
Në kontekstin e “Lojës 0”, zero në planin social, “loja aktuale” e shoqërisë shqiptare nuk është barabar.
As që bëj fjalë për barazi absolute, pasi është e parealizueshme dhe e ka vërtetuar historia njerëzore, ose balancim idesh, idealesh dhe mentaliteti të të menduarit e vepruarit, por për një tentativë për të krijuar balanca shoqërore, mentaliteti, qoftë të përkohshme.
Shoqërisë sonë i mungon shumë humanizmi, durimi, vëmendja, memoria, përqendrimi, aftësia për të reaguar për fenomene të cilat e brejnë një shoqëri bashkëkohore.
Shoqëria shqiptare në tranzicion, krahas zhvillimit të shpejtë në disa fusha, përballet edhe me një seri problemesh e fenomenesh negative, të cilat janë të sferave të ndryshme dhe mbi të gjitha kanë natyrën sociale dhe psikologjike
Kjo situatë krijohet shpesh, sepse janë “më shumë” ata që e duan shpesh kaosin dhe anarkinë sociale për të realizuar qëllimet e tyre ekonomike, politike, kulturore dhe shoqërore e që në fakt sjellin një lloj “zhvillimi” ekonomik e shoqëror.
Është pikërisht ky grup që është mbi rreth 60 për qind (nuk kanë rëndësi shifrat), që tashmë vendos për të gjitha problemet dhe fenomenet shoqërore dhe politike dhe për më tepër, nuk mund të konsiderohet grup i “keq” ose i një natyre tjetër negative.
Kjo situatë nuk ka të bëjë vetëm me politikën, që ka pa diskutim ndikim të madh në procesin shoqëror, as me “të majtë e të djathtë” që gjenden sot me pikatore, as me ndonjë fenomen ose proces tjetër të natyrave të ndryshme.
P.sh., nuk është e rastit që shoqëria jonë, reagon shumë pak, p.sh. se gjendja e shëndetësisë është në nivelin zero dhe politika e lidh me ndonjë faktor politik ose politikan, ose mungesa e elementeve “humane” në të shumtën e rasteve, ose me padrejtësi të ndryshme në etapën e zhvillimit ku jemi.
Gjatë bisedës me një mik timin shumë të mirë, gazetar i një të përditshmeje shqiptare, më tha një ide shumë interesante në lidhje me temën e mësipërme:
“Shoqëria shqiptare ka më shumë individë që mendojnë e veprojnë jo siç mendojmë e veprojmë unë dhe ti. Në shoqërinë tonë ka “më shumë individë që u intereson mungesa e ligjit, mungesa e shtetit, anarkia sociale, korrupsioni, padrejtësitë, arritja e qëllimeve të tyre ekonomike, shoqërore e ekzistencialiste me çdo mjet, para, forcë, dhunë, bile duke shitur edhe atë që ne e quajmë “moral” ose “të moralshme”. Ata nuk janë as të djathtë, as të majtë e as anarkistë, por individë që kanë vendosur të sillen dhe mendojnë në këtë mënyrë me të cilën përballemi përditë.
Është pikërisht ky grup “dominues” interesi që vendos në të shumtën e rasteve për politikën ekonominë e procesin social.
Ky grup dominues është mbi 50%, ose më pak, nuk kanë rëndësi shifrat, mendonte ai.
Prandaj ata të cilët kërkojë shtetin ligjor, drejtësinë, vlerat morale janë në “minorancë” dhe janë të detyruar t’i binden kësaj pjese.
Balancimi i këtyre grupeve shoqërore të cilët mendojnë, veprojnë dhe sillen në forma totalisht të kundërta do të vijë shumë vonë, ndoshta kur të “ngopet” ky grup “i madh” ose “i vogël” dominues që shpesh nuk është as politik, as oligarkik, as liberal e as konservator, por grup social që ka vendosur të jetojë vetëdijshëm në këtë formë jetese.
Kjo nuk do të thotë se shoqëria nuk ecën e përparon ekonomikisht e në planin social.
Përkundrazi, ajo zhvillohet në një formë të zhdrejtë, jo të moralshme, siç e mendojnë “moralistët”.
Prandaj qindra vjet më parë lindi teoria realiste e Hobbes në një moment të caktuar historik dhe ai u shpreh: “Njeriu për njeriun është ujk”, e cila konsistonte në marrjen e asaj që të mungon për sigurinë tënde tjetrit.
Mos u frikësoni, nuk është teori dhe ide “e majtë” e as “anarkiste”, por “Realiste”!!!(Ha,ha).
*Pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër