E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inflacioni, INSTAT-i dhe qeveria

Kur INSTAT-i shpalli normën e inflacionit për muajin gusht, shprehimisht theksoi se “inflacioni për muajin gusht ka qenë 2.5% dhe kjo ka ardhur nga rritja e çmimeve”. Rritja nga ana e çmimeve ishte një shtojcë jo e nevojshme, sepse norma e inflacionit llogaritet në bazë të Indeksit të Çmimeve të Konsumit, pra është i lidhur me ndryshimin e nivelit të çmimeve. Por INSTAT-i e bëri këtë shtojcë apo sugjerim për arsye të ndikimit të ndryshimit të strukturës së shpenzimeve. Me këtë donte të thoshte se ishte eliminuar ky faktor i rëndësishëm që ka ndikimin e vet në inflacion. Për gjykimin tim, një shtojcë e tillë ishte fare e panevojshme sepse ajo mund të eliminohej lehtë nëpërmjet ndryshimit të krahasimit. Krahasimi të mos bëhej me periudhën kur ndryshoi struktura e shportës ose me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por të bëhej edhe me muajin korrik. Ky krahasim do eliminonte çdo dyshim mbi vërtetësinë e tij.

Vërtetësia e treguesit të inflacionit do të forcohet nëse ai realizohet në mënyrë më të zgjeruar. Me këtë kuptoj që norma e tij të mos llogaritet vetëm duke e krahasuar me periudhën fillestare ose me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por të krahasohet me muajin e mëparshëm dhe të llogaritet për çdo rreth. Njëkohësisht, të llogariten edhe tregues të tjerë të çmimeve siç janë IÇP (Indeksi Çmimeve të Prodhimit), DGDP (Deflatori i GDP-së) dhe IÇI (Indeksi i Çmimeve të Importit). Llogaritja e këtyre treguesve të çmimeve do bëjë që në tavolinë të jetë një gamë më e madhe treguesish që të jep mundësinë e një analize më të thellë e më shkencore. Këta tregues të servirur të japin mundësinë për të parë përgjegjësinë e secilit institucion që është i lidhur me ta. Kështu, mund të përcaktohet se çfarë përgjegjësie ka BSH-ja, çfarë përgjegjësie ka qeveria dhe çfarë roli ka biznesi, sa është masa e ndikimit të inflacionit të importuar, në çfarë shkalle është ecuria ekonomike e rretheve etj.

Në lidhje me normën e inflacionit kanë dalë një sërë propozimesh dhe janë bërë shumë analiza. Është kërkuar dhe llogaritur përciptazi se sa ndikon inflacioni për grupe të caktuara shoqërore. Është marrë grupi i pensionistëve dhe është tentuar të llogaritet se sa ndikon ndryshimi i çmimeve për këtë grup. Është tentuar të bëhet e njëjta gjë për grupe të tjera. Konkluzioni është se këto llogaritje kanë qenë të pasakta dhe vetëm propagandistike për interesa elektorale. Arsyeja është e thjeshtë: Sepse teknika e llogaritjes së IÇK-së i eliminon këto ndarje në grupe. Ajo bazohet thjesht në një familje mesatare qytetare pa bërë diferencime për grup mosha apo për grupime mbi masën e të ardhurave.

Përse gjykoj se duhet krahasuar me muajin paraardhës, pse duhet llogaritur për çdo rreth, pse duhet të llogariten DGDP, IÇI dhe IÇP?

-E para është e thjeshtë sepse eliminohet efekti i ndryshimit të strukturës së shpenzimeve dhe shtimi i zërave në të. Duke bërë këtë krahasim, eliminohen edhe arsyet politike të një mundësie propagandistike dhe të gjitha krahët mbeten të dakorduar.

-E dyta, pse është e rëndësishme llogaritja e inflacionit sipas rretheve? Është e rëndësishme sepse nëpërmjet këtij treguesi shikohet shkalla e zhvillimit ekonomik të çdo rrethi. Inflacioni është i lidhur në mënyrë direkte më treguesin e rritjes reale ekonomike, është i lidhur me nivelin e investimeve dhe me shkallën e papunësisë. Në këtë mënyrë analiza bëhet më komplekse duke i dhënë qeverisë një panoramë të gjendjes së tyre për të parashikuar masat preventive për të ardhmen. Ky tregues jep mundësinë e shpërndarjes më të detajuar të investimeve të lidhura me shfrytëzimin e resurseve ekonomike të këtyre zonave si të ish-minierave, minierave të reja, ujërave, pyjeve, turizmit malor etj.; jep mundësinë e një shpërndarjeje më reale të shpenzimeve të tjera operative që kanë të bëjnë me zhvillimin e zonave të prapambetura por edhe me hartimin e detajuar të programeve të ndihmave ekonomike.

-E treta, pse është e rëndësishme llogaritje e DGDP? DGDP-ja është indeks çmimi. Ka ndryshim nga IÇK-ja sepse e para përfshin të gjitha llojet e mallrave dhe të shërbimeve, e dyta sepse përfshin vetëm prodhimet dhe shërbimet e realizuara në vend pavarësisht nga cilët faktorë ekonomikë janë realizuar dhe e treta, merret prodhimi përfundimtar aktual që rrifet me çmimet e periudhës bazë me çmimet aktuale të tregut. Ndërsa IÇK-ja llogaritet e para, për një shportë prej 272 lloj mallrash dhe shërbimesh, e dyta këto mallra mund të jenë ekstremisht 100% importi dhe merret struktura fillestare e shpenzimeve.

Kështu, kemi një sërë ndryshimesh midis këtyre dy treguesve të çmimit. Këto ndryshime përcaktojnë edhe mundësitë e ndikimit të organizmave përkatëse mbi to. Për shembull, BSH-ja me të njëjtën politikë nuk ka të njëjtin rol mbi të dy këta tregues. Nëse ajo aplikon një politikë monetare ekspansioniste pa ndryshuar shpejtësinë e qarkullimit të parasë, do rritet niveli i çmimeve mesatare (çmimi i deflatorit). Në krahun tjetër, një rritje e ofertës monetare do bëjë që të zhvlerësohet leku, të forcohet euroja dhe dollari. Nëse do përjashtohej sektori i jashtëm, deflatori i GDP do ishte afërsisht i barabartë me IÇK-në. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për efektin e politikave fiskale.

-E katërta, pse është e rëndësishme llogaritje e IÇP-së ose PPI-së?

PPI-ja është një ndër tre treguesit më të rëndësishëm të indeksit të çmimit. Ky indeks bazohet në çmimet e materialeve kryesore dhe ndërmjetëse të pa përpunuara që blihen prej prodhuesve. Pra, paraqet çmimet mesatare të materialeve që do të shndërrohen në procesin e prodhimit në të mira. Rritja e PPI-së ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e CPI-së dhe të deflatorit në periudhat e ardhshme. Shkurt: nëse firmat e prodhimit kanë paguar më shumë para për blerjen e lëndëve të para dhe të materialeve, prodhimet e tyre do t’i shesin me çmime më të larta. Ky indeks ka rëndësi në procesin e pritjeve të konsumatorit. Kështu, nëse rritet çmimi i kapitalit, atëherë pritet të kemi në të ardhmen edhe rritje të çmimeve.

Formula e llogaritjes së PPI-së është e ngjashme më atë të Deflatorit të GDP-së. Ndryshimi qëndron në atë që merren materiale kryesore dhe ndihmëse, lëndë e parë etj., të zgjedhura që ndikojnë dukshëm në nivelet e CPI-së dhe deflatorit.

- E pesta, pse është e rëndësishme llogaritja e IÇI-së?

Ky tregues është shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare duke pasur parasysh faktin se ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël, e hapur që unë e kam krahasuar me ekonomitë skandinave. Nga importi sigurojmë 100% prodhime ushqimore si vaj, oriz, sheqer dhe drithë për zonën urbane. Sigurojmë një pjesë të mallrave përfundimtarë dhe lëndëve të para. Kështu, në këtë aspekt inflacioni i botës ndikon direkt në inflacionin shqiptar.

Mesazhi kryesor i modelit skandinav lehtë mund të shprehet në formulën e dhënë

π = πŵ + αS (λE – λS)

ku të gjithë variablet e krahut të djathtë janë ekzogjene. Kështu norma e brendshme e inflacionit në një ekonomi të vogël të hapur siç kemi rastin e ekonomisë shqiptare, është shpjeguar plotësisht prej normës së inflacionit botëror πŵ dhe midis diferencës të normës së rritjes së produktivitetit të punës në të dy sektorët (λE – λS) të indeksuar prej αS, koeficient i sektorit mbrojtës. Vetëm termi i fundit mund të etiketohet si inflacion “strukturor”, ndërsa termi i parë shpreh lidhjen direkte të rritjes së nivelit të çmimeve të botës me normën e brendshme të inflacionit.

Duke analizuar lidhjen midis variableve ekonomike mund të themi:

1. Norma e inflacionit botëror me një normë të dhënë të fiksuar këmbimi përcakton normën e inflacionit në sektorin E.

2. Norma e inflacionit në sektorin E së bashku me normën e rritjes së produktivitetit të punës përcakton normën e rritjes së pagës nominale në sektorin E.

3. Norma e rritjes së pagës nominale në sektorin E përcakton normën e rritjes së pagës nominale në sektorin S (efekti i mbizbulimit).

4. Rritja e pagës nominale së bashku me normën e rritjes së produktivitetit të punës në sektorin S shpjegojnë normën e inflacionit në këtë sektor (nivel i lartë i fitimit të fiksuar).

5. Norma e inflacionit në sektorin E, πE dhe në sektorin S, πS të peshuar prej shtesës relative në të dy sektorët përcakton normën e brendëshme të inflacionit.

Kështu modeli shpjegon variablet endogjene (rritje të pagës dhe të çmimit të brendshëm) në funksionin e variableve ekzogjene, domethënë çmimet e tregut botëror, rritjen e produktivitetit në sektorin E dhe në sektorin S dhe normën e fiksuar të këmbimit.(E= sektor mbrojtës, S= sektor më së shumti i shërbimeve)

I dhamë këto konsiderata për të parë se si ndikon inflacioni i botës në ekonominë shqiptare. Duke llogaritur IÇI-në, indeksin e çmimeve të importit diferencohet shkaku i tij. Në këtë mënyrë përcaktohet përgjegjësia e qeverisë dhe përgjegjësia e BSH-së për këtë tregues. Ose në fund të fundit, nëpërmjet tij duke ditur efektet ato kanë më shumë mundësi të marrin masa parandaluese ose zbutëse të efekteve të tij.

Duke llogaritur këta tregues, gjithkush mund të shikojë se kush e ka përgjegjësinë për rritjen e inflacionit. Qeveria duhet të ngarkohet me përgjegjësi kur ka dhe jo pse u rrit inflacioni. Nëse inflacioni është tërësisht i importuar, nuk ka çfarë t’i bëjë as qeveria dhe as banka. Ajo vetëm duhet të synojë të zbusë efektet e tij. Flas për këto kushte në të cilat ndodhemi, sepse qeveria duhet të luftojë për rritje ekonomike. Vetëm rritja ekonomike ul vartësinë nga inflacioni i importuar. Qeveria ndikon mbi të në momentin kur malli i botës paraqitet në territorin doganor shqiptar. Këto nuk i kam objekt të shkrimit, prandaj nuk po i analizoj.

Përfundimisht, INSTAT-i duhet të lëvizë dhe t’u përshtatet ritmeve të rritjes ekonomike nëpërmjet shtimit sasior dhe cilësor të gamës së treguesve statistikorë. INSTAT-i me të dhënat e tij duhet t’u paraprijë analizave bashkëkohore shkencore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›