E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e pensionet, Shtesa tejkalon 2 deri në 7 herë inflacionin

15/06/2010 Pagat dhe pensionet e 820 mijë qytetarëve do të pësojnë rritje në fillim të muajit të ardhshëm. Qeveria do të nisë zbatimin e kësaj mase brenda 3 javëve të ardhshme, në përputhje me programin e saj. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë mbledhjes së grupit kuvendor të PD-së se shtesa tejkalon 2 deri në 7 herë inflacionin, që sipas tij është duke u ulur. Sipas kreut të qeverisë, rritja e rrogave dhe pensioneve bën pagën mesatare në Shqipëri 500 dollarë, e cila 18 vjet më parë ishte 6 dollarë. Në fillim të korrikut pagat e larta do të indeksohen, ndërsa të ulëtat do të njohin rritje të ndjeshme. Skema e rritjes së pensioneve edhe për 2010-n do të jetë e përshkallëzuar, çka do të thotë se rritja maksimale do të shkojë për pensionet e ulëta të fshatit. Për vitin 2010 është konfirmuar zyrtarisht se skema e rritjes së pagesave për pensionistët në fshat do të jetë në masën 15 për qind. Rritja e pensioneve do të prekë edhe pensionet e qytetit, por në një masë më të vogël se ato në fshat. Për vitin 2010 është konfirmuar zyrtarisht se skema e rritjes së pagesave për pensionistët në zonat urbane do të jetë në 7 për qind. Shefi i ekzekutivit ka kaluar diskutimin mbi rritjen e rrogave dhe pensioneve në aspektin politik. “Ne trashëguam një hapësirë me diferencë 1 me 11 dhe e kemi sjellë tani në 1 me 5 apo 1 me 6. Janë tipike raportet e vendeve të qytetëruara perëndimore. Brezhnjevi dhe Enveri i kishin ato raporte. Punëtori merrte 4 mijë, Spiro Koleka merrte 36 mijë. Kjo është e vërteta, dhe vazhdoi gjatë viteve të mëparshme të qeverisjes socialiste. Atë ndërtesë që ndërtuam duke pasur parasysh parimet e barazisë shoqërore, natyrisht jo identike, e lamë 1 me 5 raportin, e bënë 1 me 11, tani e kemi 1 me 6 dhe do ta çojmë në 1 me 5 raportin e rrogës së lartë me rrogën mesatare”, - theksoi ai. Berisha tha se opozita thërret për një krizë ekonomike, ndërkohë që qeveria vendos rritje pagash dhe pensionesh. Kryeministri nënvizoi se rritja e pagave dhe pensioneve mundësohet nga performanca dhe reformat ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›