"Four Christmases" në kinema MilLennium.
Jo, një, as dy, madje as tre, por plot katër Krishtlindje brenda një dite të vetme. Kështu është i detyruar të festojë një çift amerikan nga San Francisco ditën e krishtlindjeve. Kejt dhe Bred janë të lumtur ndonëse akoma të pamartuar dhe për 25 dhjetorin kishin planifikuar një pushim "të nxehtë". Por mjegulla i prish planet e tyre dhe rrethanat i detyrojnë ata që tu kthehen vizitave tradicionale festive tek prindërit e tyre. Por festa bëhet më stresuese pasi prindërit e çiftit janë të divorcuar dhe kanë krijuar secili prej tyre nga një familje. Kështu dy të rinjtë përfundojnë për tu takuar jo vetëm me prindërit por edhe me burrat e gratë e tyre, fëmijët e nipërit e gjetur gjithashtu. Në këtë mënyrë cifti do të përballet me frikërat e tij për të rihapur plagët e adoleshencës apo të vihet përpara dilemës për martesën dhe fëmijët. Ndërsa Bred numëron minutat në famlijen e tij të stërmadhe, Kejt fillon të shikojë realitetin me një sy tjetër dhe të pyesë veten nëse zgjedhjet e cmendura të familjarëve të saj janë me të vërtetë të çmendura . Ky është subjekti i komedisë famlijare e cila duket se ka qenë mjaft e preferuar për publikun e huaj. Dhe jo më kot studioja New Line Cinema e ka hedhur në tregun kinematografik në prag të atmosferës festive. Komedia "Four Christmases" është bërë objekt i shtypit të huaj që para se të shfaqej premierë. Dhe jo vetëm për lajme që informojnë se cilët janë aktorët kryesorë të filmit por edhe për ndodhi të cuditshme gjatë xhirimeve të tij. Kështu titulli i komedisë është lakuar së bashku me emrat e dy protagonistëve të cilët thuhet se gjatë periudhës së xhirimeve kanë patur një sherr të hapur mes tyre.