E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë, 23 adoleshentë të infektuar me H1N1

Një grup prej 23 adoleshentësh nga rajoni i Parisit kanë shfaqur simptoma të sëmundjes së gripit H1N1 në një kamp shkollor në Alpe dhe janë izoluar në dhoma të veçanta të qendrës, deklaroi sot një zyrtar lokal.
"Aktualisht po marrin ndihmën mjekësore në qendër", u shpreh zyrtari i prefekturës lokale, i cili shtoi se mjekët ishin dërguar në kampin shkollor. Në kamp ndodhen edhe 10 adoleshentë të tjerë nga rajoni i Parisit, por ata nuk kanë shfaqur simptoma të sëmundjes, deklaroi ai.
Dje, autoritetet franceze bënë të ditur se ekzistonin 434 raste të konfirmuara të gripit H1N1 në Francë, 383 prej tyre vetëm në kryeqytet.
Po kështu, autoritetet britanike të Shëndetësisë bënë të ditur dje rastin e parë fatal nga gripi i derrave te një person që nuk vuante nga probleme të tjera shëndetësore, ndryshe nga rastet e mëparshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›