E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini, nesër në Tiranë për vizat dhe BE-në

Vizita

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, pritet të zhvillojë nesër një vizitë disa orëshe në Tiranë. Burime pranë Ministrisë së Jashtme bëjnë me dije se kryediplomati i tij italian në vizitën e tij do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të vendit, si Kryeministrin Sali Berisha, homologun e tij Ilir Meta dhe Presidentin e vendit, Bamir Topi. Pas takimit me zëvendëskryeministrin, njëkohësisht ministrin e Jashtëm, Meta, dy homologët do të japin edhe një konferencë të përbashkët për shtyp për median. Në këtë kuadër bëhet e ditur se gjatë vizitës së tij nesër, Fratini do ta vendosë theksin te mundësitë e Shqipërisë për të përfituar liberalizimin e vizave brenda këtij viti. Një temë e diskutimeve të kryediplomatit Fratini me Kryeministrin Berisha dhe Presidentin Topi është edhe intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë. Nga ana tjetër, kjo vizitë e kreydiplomatit italian në vendin tonë, përkon edhe me kohën kur qeveria shqiptare do të dorëzojë pyetësorin e Komisionit Europian për të siguruar edhe statusin e vendit kandidat në BE. Nisur nga fakti se përfaqësuesit më të lartë politikë dhe diplomatikë të Italisë mbështesin proceset integruese të vendit tonë, vizita e ministrit të Jashtëm të vendit fqinj është një ogur i mirë për këto dy procese të rëndësishme për shqiptarët. Nga ana tjetër, kryediplomati italian, gjatë takimeve të mëparshme që pasur me përfaqësues të lartë të vendit tonë, ka shprehur mbështetjen e fuqishme të qeverisë italiane dhe të tijën personalisht për liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë dhe marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian. Dy ditë pas vizitës së Fratinit në Tiranë, Kryeministri Berisha do të niset drejt Brukselit për të dorëzuar në Komisionin Europian edhe pyetësorin e plotësuar të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Në këtë vizitë të tij simbolike në Bruksel, Kryeministri pritet të zhvillojë një takim edhe me komisionerin europian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Stefan Fyle.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›