E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fryu era e mllefit dhe zbuloi rrënimin e opozitës

25-08-2008 / L. Quku

Mes Ramës dhe Metës mbetet beteja e fortë për të përdorur reformën zgjedhore si mjet për të mbijetuar politikisht. Aty s’ka vend për kompromis, sidomos kur rrotull endet një njeri si Gjinushi, teolog i konfliktit. Dje Edvini e tha hapur se PS-në dhe LSI-në i bashkon vec mllefi për njëri-tjetrin, një mllef që do t’u shërbejë të dyve si alibi, kur të dalin të rrënuar nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare Shkëmoqet përfundimisht cdo fije shprese për ndonjë bashkëpunim, të paktën në letër, ndërmjet Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas divergjencave dhe konflikteve të brendshme, që i kanë shoqëruar për një kohë të gjatë, këto dy forca politike që nga prishja e marrëveshjes politike, pas vendoreve të 2007-s, e duke vijuar më pas me ndryshimet kushtetuese, së fundi cështja e koalicioneve parazgjedhore ka shërbyer për të rrënuar shpresat për një bashkim të ri opozitar. Ka mjaftuar një shashkë e hedhur së pari nga Gjinushi, për krijimin e koalicioneve të përbëra zgjedhore, që ndërmjet partive të opozitës të fillojnë të tjera plasaritje. E njëjta situatë e rëndë është demonstruar edhe dje, kur PS ka reaguar ndaj Metës, duke e akuzuar, për mllef kundër PS-së dhe bashkisë së Tiranës. Kësisoj, ideja e koalicioneve të përbëra, e hedhur së fundmi nga Partia Socialiste dhe ajo Socialdemokrate, dhe kundërshtimi i hapur i LSI-së, ka treguar edhe njëherë se ndërmjet partive të opozitës nuk do ketë paqe dhe nuk mund të bëhet fjalë për bashkëpunim parazgjedhor, në prag të parlamentareve të 2009-s. Pas takimeve të PS me LSI dhe PSD, plasën replikat e para ndërmjet dy partive kryesore të opozitës dhe ashtu sic ishte parashikuar, ato takime s’e fshehën dot qëllimin e vërtetë, atë të shndërrimit në një mjet për të fshehur krizën e së majtës. LSI reagoi dje ndaj koalicioneve të përbëra, duke këmbëngulur se ai mbetej thjesht një koalicion i paprinciptë dhe pa vlera. Nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, deklaroi për mediat se lidershipi i PS-së ende nuk e ka ndjeshmërinë e duhur për të kontribuar në frontin opozitar e për ta rikthyer të majtën në pushtet. “Ne shprehim keqardhjen që lidershipi i PS akoma nuk ka ndjeshmërinë e duhur për të kontribuar në frontin opozitar për të rrëzuar Berishën dhe për të rikthyer të majtën në pushtet. Jemi gjithashtu të keqardhur që lidershipi i PS vazhdon të sajojë marifete dhe forma që nuk synojnë bashkimin e programeve dhe vlerave të aleatëve të saj, por synon t’i vërë ata nën kontroll nën frymën e ndryshimeve Kushtetuese që ndodhën në 21 Prill, ndryshime që cimentuan në pushtet Sali Berishën. Koalicionet duhet të ngrihen mbi vlera, principe, vizione dhe programe të përbashkëta dhe jo të jenë koalicione bishtash dhe marifetesh të presjeve dhjetore”, u shpreh ai. Një ditë më parë, pasi kreu i LSI-së, kishte deklaruar se nuk do të bëhej pjesë e koalicionit zgjedhor me Partinë Socialiste, dhe duke pasur si pikësynim, daljën më vete në zgjedhjet e ardhshme, ka reaguar edhe selia rozë, duke e quajtur Metën si të mllefosur me PS-në. Zëdhënësja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli hodhi romuzin e radhës ndaj kryetarit të LSI, i cili sipas saj, po ecën në një linjë me Berishën duke hedhur baltë mbi partinë më të madhe opozitare. Kodheli tha se u bënë muaj që ndërkohë që ne vazhdojmë të tregojmë me gisht plagët e keqqeverisjes së Sali Berishës, Ilir Meta ngre gishtin me mllef kundër Partisë Socialiste dhe Bashkisë së kryeqytetit. “Ne urojmë që rruga e vjetër e vitit 2005 të mos jetë rruga që Ilir Meta ka zgjedhur për vitin 2009, sepse atë rrugë e uron vetëm Sali Berisha për të cilin Ilir Meta i sotëm ngjan e vetmja kamerdare shpëtimi. Por edhe sepse në atë rrugë Ilir Meta kësaj radhe do të humbasë bashkë me Sali Berishen”, theksoi Kodheli. Duke vijuar në këtë linjë, zëdhënësja e PS, deklaroi se Ilir Meta i është rikthyer politikës së vjetër të sherreve e të dasive duke sulmuar sistematikisht Partinë Socialiste dhe Bashkinë e Tiranës me shpifje e fyerje të padenja për koment. Por në fakt sfondi e akuzave nuk është krejt propagandistik. Në mes ndodhet reforma zgjedhore, si mjeti që do t’i ndajë njëherë e mirë Ramën e Metën. Kreu i LSI-së tha dje se reforma zgjedhore ka hyrë në një qorrsokak që në natën e 21 prillit, kur u zgjodh një i ashtuquajtur model spanjoll, për të përcaktuar rregullat e lojës elektorale. “Kjo nuk është gjë tjetër, vecse një përpjekje për të deformuar përsëri sistemin zgjedhor dhe përfaqësimin e vullnetit politik të qytetarëve shqiptarë dhe tani aq në hall kanë rënë iniciatorët e këtij sistemi, se sa bëjnë shpikje allashqiptarce”, ka pohuar Meta. Ndërsa, përballë tij, sekretari për cështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami u përpoq të bindë Metën, duke i sqarar anët positive të koalicionit të përbërë, duke insistuar se kjo është formula që arrin të nxjerrë fituese bllokun e partive të së majtës. “Kjo formulë siguron bashkëpunimin në frymën e sistemit proporcional rajonal. Në këtë mënyrë arrihet një bashkëpunim fleksibël që maksimizon suksesin e njëkohëshëm të koalicionit e të forcave politike përbërëse”, ka theksuar ai. Me anë të një koalicioni të tillë cdo votë do të jetë e përcaktuar pasi zgjedhësit do të votojnë për një subjekt të caktuar, por në fund të procesit zgjedhor, numërimi i votave do të saktësojnë rezultatin përfundimtar për secilin subjekt. Krahas rezultateve specifike për cdo parti, do të jetë dhe një tjetër rezultat, ai i koalicioneve të përbëra, duke bërë të qartë për votuesit shqiptarë se cili koalicion është fitues i garës elektorale. ...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›