E Diel, 1 Nëntor 2026

PD sulmon Muçmatajn. Paloka: Më ke arrestuar. Fino: E ka bërë Nasipi

Kuvend Debat dhe ilaritet në seancën dëgjimore me anëtarin e Gjykatës së Lartë

Aktiviteti politik përpara vitit 1990 të kandidatit Vexhi Muçmataj ka dominuar në pjesën më të madhe të seancës dëgjimore të Komisionit për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Kandidati Muçmataj ka pranuar se ka qenë anëtar partie gjatë viteve 1988-1990. Kjo ka shkaktuar tension gjatë seancës dhe doza e tensionit është rritur, ku pyetjeve në seri nga mazhoranca, nëse ka marrë pjesë në hetimet famëkeqe të sigurimit komunist, kandidati Muçmataj u është përgjigjur se nuk i mban mend nëse kishte hetuar procese gjyqësore politike të kohës së diktaturës. "Gjatë gjithë kësaj periudhe 20-vjeçare, në adresën time nuk kam pasur ankesa nga ndonjë person që mund të ketë qenë i proceduar për këto lloj veprash dhe prandaj nuk e kam në kujtesë. Në qoftë se do të ishte kështu, unë do ta thosha sepse nuk kam pse ta fsheh, por pjesëmarrja ime ka qenë për aktet kryesore që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut", u shpreh Muçmataj. Gjatë pyetjeve shtesë, deputeti i PD-së, Edi Paloka, i ka kërkuar sqarime për arrestimin e tij të gabuar në vitin 2000 nga prokuroria. “Mendoj se rasti duhet parë konkretisht, në rast se prokurori ka administruar prova në kundërshtim me kërkesat e ligjit, i ka vlerësuar dhe çmuar ato jo drejt, atëherë mund të mbahej një qëndrim disiplinor pa diskutim. Por në rast se gjatë shqyrtimit të këtij materiali nuk rezultojnë të dhëna të tilla, mendoj se nuk mund të veprohet”, është shprehur Muçmataj, duke shtuar se në prokurori nuk ka qenë në vitin 2000, por ka ardhur dy vjet më vonë nga arrestimi i deputetit Paloka. Këtij debati i shtohet edhe reagimi i socialistëve, ku deputeti Bashkim Fino thotë se “këta nuk e dinë se kush ua ka futur. Ka qenë Nasip Naço, prokuror atëherë, dhe ka ka qenë po i Ilir Metës”.

Mbyllja

Komisioni i Ligjeve mbyll seancën dëgjimore për tre kandidaturat e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë. Sot do të paraqiten në Kuvend relacionet për tre kandidatët. Relatorët për këto tre kandidatura do të jenë deputetët Dashnor Sula dhe Viktor Gumi. Burime pranë grupit demokrat bëjnë me dije se ‘provimin’ do ta kalojë vetëm Medi Bici. Arsyeja e rrëzimit të kandidaturës së Vexhi Muçmatajt do të argumentohet nga mazhoranca me motivin se ka shërbyer gjatë kohës së diktaturës, ndërsa për Sokol çomon nuk janë ende të qarta motivet që priten të përcaktohen në relacionin që do të paraqitet sot në Komisionin e Ligjeve, kjo ndoshta edhe për shkak të nivelit të lartë profesional që kandidati Sokol çomo tregoi edhe në seancën dëgjimore në kryesinë e Kuvendit, por edhe kurrikulumit të tij. Sot, Komisioni i Ligjeve do të debatojë mbi cilësinë e tre kandidaturave, të cilat do të shkojnë më pas për votim të hapur në Kuvend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›