Krerët e gjyqësorit jetojnë vetëm nga pagat
Drejtuesit më të lartë të institucioneve të pavarura dhe të gjyqësorit nuk kanë kryer asnjë investim financiar në vitin 2009, nisur nga të dhënat që kanë paraqitur në deklaratat e tyre të pasurisë. Ata duket se janë mjaftuar të rrisin depozitat bankare nga të ardhurat e kursyera nga puna e tyre, pa mundur të investojnë në blerje të reja. Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ka arritur të paguajë vetëm 800.000 mijë lekë nga kredia e saj për blerjen e shtëpisë, duke pasur edhe 4.262.006 lekë detyrime të mbartura pranë “Raiffeisen Bank”. Nga ana tjetër, Beçaj ka përfituar nga paga e saj vjetore si kryetare e gjykatës, 2.080.844 lekë dhe rreth 250.000 lekë të tjera nga honoraret për pjesëmarrje në borde të ndryshme që lidhen me gjyqësorin. Nga ana tjetër, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka deklaruar si të ardhura për vitin e shkuar vetëm pagën e tij vjetore prej 2.240.123 lekësh. Ajo që vihet re në deklaratën e tij të pasurisë është edhe paga afërsisht e njëjtë që bashkëshortja i fiton në një vit, si rezultat i punës së saj si juriste pranë tre organizatave joqeveritare. Kështu bashkëshortja e Spahiut përfiton 7200 euro si eksperte juridike në shoqatën “Në dobi të gruas”, 6400 euro në “Transparency International Albania” dhe 4500 euro nga “Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve”. Nga ana tjetër Spahiu përfshin në deklaratën e tij të pasurisë dhe të ardhurat që në një vit paguan për shkollimin e së bijës, që llogariten 3.000 euro. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, ka preferuar që të depozitojë në llogaritë e tij bankare pjesën më të madhe të të ardhurave që ka përfituar nga paga e tij për vitin e kaluar. Në këtë kuadër, Kristo deklaron si përfitim nga paga e tij në krye të Gjykatës Kushtetuese një vlerë prej 2.502.080 lekësh dhe nga ana tjetër ai deklaron edhe pagën e bashkëshortes, e cila me punën e saj si notere, fiton 1.300.000 lekë në një vit. Krerët më të lartë të drejtësisë shqiptare duket se preferojnë bankat për të ruajtur të ardhurat dhe jo investimet për blerje të ndryshme.
#