E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ndryshon emërtimin: “Përfaqësi e përhershme”

09/04/2009  Përfaqësimi në NATO

Menjëherë pas anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut qeveria ka vendosur hapjen e misionit pranë selisë së NATO-s. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është miratuar vendimi sipas të cilit “Misioni i Shqipërisë” pranë NATO-s shndërrohet në “Përfaqësia e përhershme”. Ndërkohë që përfaqësuesi ynë nuk do të quhet më “ambasadori shqiptar në NATO”, por “përfaqësuesi i përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Atlantikut të Veriut”. Në vendimin e djeshëm, i cili mbështetej në ligjin “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, thuhet se për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme. Kryeministri Sali Berisha dy ditë më parë është angazhuar për të plotësuar të gjithë aspektin përfaqësues të vendit në NATO, pas anëtarësimit me të drejta të plota në të. “Kalimi i Shqipërisë si vend anëtar kërkon që përfaqësitë e tyre të plotësohen me të gjithë ekspertët e funksionarët zyrtarë, si dhe me të gjithë teknologjinë më të fundit që meriton kjo anëtarësi. Shqipëria nuk do të kursejë asgjë për t’i dhënë mbështetjen përfaqësisë së saj këtu, që të përmbushë të gjithë detyrimet që rrjedhin nga përfaqësimi i Shqipërisë si anëtare e plotë në NATO”, - ka deklaruar Berisha në konferencën për shtyp zhvilluar pas ceremonisë së ngritjes së flamurit shqiptar në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel. Ai ka vlerësuar maksimalisht misionin shqiptar që ka punuar pranë Aleancës gjatë procesit të anëtarësimit. Berisha ka thënë se Shqipëria pranë NATO-s ka një mision të shkëlqyer, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›