E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama thërret në tryezë aleatët për zgjedhjet

09/04/2009  Kreu socialist mbledh të majtët, por “harron” të ftojë kreun e LSI-së

Qëllimi i këtij takimi informal është unifikimi i qëndrimit mes partive

Kreu socialist Edi Rama pritet të ftojë brenda këtyre dy ditëve në një tryezë aleatët e tij brenda kampit të majtë me qëllim unifikimin e qëndrimit përpara hapjes zyrtare të fushatës elektorale. Ndër çështjet kryesore që pritet të përfshijë axhenda e këtij takimi është infrastruktura zgjedhore, por nuk përjashtohet edhe diskutimi për një bashkëpunim elektoral. Ftesa është vetëm për besnikët e tij, konkretisht kryetarin e PSD-së Skënder Gjinushi, Paskal Milon, pa harruar këtu dhe aleancën me të me G-99 e drejtuar nga Erion Veliaj. Në këtë mënyrë, në ftesën e tij për këtë takim informal mes drejtuesve të majtë Rama ka lënë jashtë kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke dhënë në këtë mënyrë një sinjal të qartë për përjashtimin e çdo mundësie bashkëpunimi mes tij dhe Metës, të paktën përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo për vetë faktin se kjo tryezë e thirrur nga kryetari i PS-së mësohet të ketë si qëllim pikërisht bashkërendimin e veprimeve elektorale mes këtyre forcave, të cilat do të jenë në një koalicion të përbërë në zgjedhjet parlamentare. Por nga ana tjetër ky takim përmes ekspozimit të panoramës që ofron ky koalicion në këtë garë të ethshme, as më shumë e as më pak është një taktikë e lidershipit të Partisë Socialiste për t’i treguar dhe një herë tjetër Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe drejtuesve të saj se qëndrimi i kupolës rozë është i palëkundur për të thelluar më tej distancën e ndarjes mes këtyre dy partive. Ndërkohë referuar takimit që pritet të zhvillohet brenda datave 9 dhe 10 prill, natyrisht i organizuar me ftesë të kryetarit socialist Edi Rama, mësohet se në qendër të bisedës do të jetë pikërisht procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit. Kështu, duke synuar plotësimin e kërkesës së deklaruar nga Partia Socialiste, njëkohësisht e mbështetur dhe nga partitë mbështetëse të saj, lidhur me këtë proces, pritet një rritje e presionit ndaj qeverisë “Berisha”. Madje, jo pa shkak gjatë ditëve të fundit nga drejtues të këtyre partive janë hedhur deklarata të cilat pothuajse në formë ultimatumi i kërkojnë mazhorancës qeverisëse që të garantojnë kushtet e nevojshme për një proces zgjedhor brenda standardeve, në të kundërt paralajmërojnë bojkot të këtij procesi. Për këtë arsye, mësohet se gjatë takimit krerët e majtë do të diskutojnë mbi hapat e mëtejshëm që do të ndjekin sa i takon procesit të pajisjes me kartat e identitetit. Ndërkohë nuk bëhet e ditur nëse do të jetë pikërisht kjo tryezë ajo që do të mbyllë dhe do të mbajë firmën e një bashkëpunimi zgjedhor mes katër partive. Edhe pse është tashmë e deklaruar se këto parti do të jenë në një koalicion të përbërë, në garën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ende nuk ka një marrëveshje të shkruar prej tyre, të paktën zyrtare, se mbi çfarë kriteresh apo kushtesh do të jetë aleanca. Megjithatë, mbetet që pas zhvillimit të takimit të zbardhet mbi një çështje të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›