E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Furtunë” në hipotekë, arrestohen 4 punonjës

30/04/2009  Ndër ta dhe zv/drejtori i kësaj zyre. Akuzat për falsifikim dhe shpërdorim detyre

LUSHNJE- Ka qenë “furtunë” në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në qytetin e Lushnjës, paraditja e djeshme. Ka qenë ora 11 e ditës së djeshme kur forcat e policisë së komisariatit të Lushnjës kanë hyrë në zyrat e hipotekës së këtij qyteti dhe kanë arrestuar që andej 4 punonjës të zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Lushnjës, ose e njohur ndryshe si zyrat e hipotekës.

Arrestimet

Sipas kreut të policisë lushnjare, Agron Sulshabani, arrestimi i 4 punonjësve të hipotekës së qytetit më të vogël myzeqar, ka ardhur si zbatim direkt i Urdhrit ekzekutiv të Prokurorisë së Lushnjës. “Ne thjesht kemi zbatuar urdhrin ekzekutiv të Prokurorisë së rrethit të Lushnjës”,-ka thënë në një komunikim me telefon për gazetën “Metropol” kreu i policisë lushnjare, Sulshabani. Sipas këtij urdhri të Prokurorisë, është caktuar për ta masa e sigurisë. Kjo masë sigurie është “arrest me burg” për 3 punonjës, ndërsa “arrest shtëpie” për punonjësin e katërt”. Këto janë çështje të Prokurorisë së Lushnjës, por mesa na kanë komunikuar kemi të bëjmë me çështje penale si “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre” të këtyre punonjësve. Arrestimi i tyre ka qenë në ambientet e punës, pra në zyrat hipotekës, pasi këta punonjës vazhdonin ende punën në funksionet e tyre, ndërsa i katërti dhe pikërisht Neshat Zeneli është arrestuar në ambient publik jashtë punës”. Katër punonjësit e arrestuar në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Lushnjë janë Servet Musaku, Agim Premti, Agim Kojku dhe Neshat Zeneli. Sipas burimeve nga policia e Lushnjës, këta persona të cilët vazhduan punën si punonjës hipoteke kanë qenë specialist të kësaj zyre, ndërsa Agim Kojku zv/drejtor i hipotekës në Lushnjë. Po sipas këtyre burimeve mbi ta rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve” vepër kjo penale, e cila ka çuar në pranga jo pak funksionarë dhe pushtetarë lokalë në qarkun e Fierit. Sipas po këtyre burimeve, ka qenë Prokuroria e rrethit të Lushnjës, e cila nëpërmjet investigimit dhe hetimit ka nxjerrë në pah shkeljet e rënda të këtyre punonjësve të hipotekës, për të cilët ditën e djeshme ka vendosur edhe arrestimin për shkak të vërtetimit të këtyre provave. Ndërsa është vendosur kjo masë për 4 të arrestuarit, ata do të duhet të përgjigjen për një sërë akuzash. Punonjësit e zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme janë vënë jo rrallëherë nën piketimin e Prokurorisë dhe për shkak të ankesave të shumë qytetarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›