E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fytyra e revolucionit/ Kush ishte Neda, vajza që u vra në protestat e Iranit?

Gruaja e re e cila fundjaven e kaluar u shfaq si një simbol i fuqishëm i opozitës përballë qeverisë iraniane përqafoi jetën në shumë forma të saj, por askujt nuk ia merrte mendja se ajo do të bëhej një martire, shprehet një nga miqtë e saj në një intervistë për "CNN".
Neda Agha-Soltan, ishte 26 vjeç, dhe humbi jetën tragjikisht pasi u qëllua me armë nga anëtarë të gardës revolucionare në Iran sapo doli nga makina me të cilën udhëtonte. Momenti kur ajo u qëllua u regjistrua nëpërmjet një telefoni celular dhe pamjet qarkulluan në të gjithë botën. Një e shtënë e vetme, një plage marrë në kraharor dhe Neda, dha shpirt brenda pak minuta në duart e disa kalimtarëve të rastit. "Historia e saj të copëton zemrën", u shpreh presidenti Obama, gjatë një deklarate dhënë të martën në Uashington, ndërsa iu referua videos së publikuar në internet dhe që tregonte pamje të tmerrshme të vrasjes së saj. Emri i saj "Neda" në gjuhën farsi do të thotë "thirrje hyjnore". E gjithë bota e ka dënuar ashpër vrasjen tragjike të 26 vjeçares dhe është solidarizuar me protestuesit që duan ta nderojnë e të ruajnë kujtimin e saj, si një heroinë e vërtetë. Që prej së shtunës, qeveria iraniane ka kërkuar për të minimizuar ndikimin e vdekjes së saj, por një nga miqtë e Nedës, e përshkroi këtë përpjekje si një inisativë për të fshehur impaktin e vërtetë të kësaj tragjedie.
E dyta nga tre fëmijët, Neda jetonte me prindërit e saj në një lagje ku banonin familje të shtresave të mesme, në lindje të Teheranit. Miq dhe të afërm e përshkruajnë atë si një njeri të gëzuar e një person shumë pozitiv. "Edhe pse ka studiuar për filozofi dhe fe islame në universitetin islamik Azad, ajo ishte një person më prirje më shumë shpirtërore se fetare", shkruan "CNN". Gjithashtu Neda ishte shumë e apasionuar pas muzikës. Dikur kishte studiuar violinën, por më pas e kishte lënë duke planifikuar të merrte disa leksione pianoje. Madje 26 vjeçarja, sapo e kishte blere pianon, por ende nuk e kishte marrë veglën muzikore. Ajo njihej si një vajzë më sjellje të karakterizuar nga qetësia dhe nga ndjenja e humorit dhe një njeri që e dashuronte jetën. Shumë miq të saj kanë treguar kujtime dhe histori të bukura të përjetuara së bashku me Nedën dhe kënaqësinë që ajo u dhuronte. Nedës i pëlqente shumë që të udhëtonte, ndërsa tre muaj më parë kishte vizituar Turqinë. Sërish miq të saj tregojnë se ajo besonte në të drejtat e njeriut. Një gjë e tillë mund të shpjegojë edhe faktin se përse ajo ndodhej në atë vend, ku zhvilloheshin protestat anti qeveritare në Teheran, e pikërisht pasditen e së shtunës, një pasdite që rezultoi fatale për të. Pasi u bllokua në trafik për më shumë se një orë në automjetin Peugeot 206, Neda dhe një mik i familjes vendosën të dilnin jashtë makinës për të marrë pak ajër. Dalja e saj është filmuar nga një aparat celular ku ajo shfaqej të ecte bashkë me mësuesin e muzikës dhe filozofisë, pranë vendit ku zhviloheshin demostrata anti qeveritare. Neda ishte veshur me një kapele sportive të vendosur mbi një shall te zi, një këmishë të zezë, pantallona xhinse dhe atlete. Por 26 vjeçarja nuk mundi të jetonte gjatë për t'u bashkuar me turmen e protestuesve. Vdekja e saj ka ngjallur reagim ndërkombëtar dhe protesta po zhvillohen anekënd botës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›