E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushteti vendor duhet ti identifikojë me përparësi këto familje

03/02/2009  Vendoset ngritja e grupeve të punës për evidentimin e familjeve në nevojë

Qeveria do të ngrejë një grup pune ndërministror, detyra e të cilit do të jetë evidentimi i familjeve në nevojë dhe të dalë me propozime konkrete për ndryshimet e nevojshme të ligjeve dhe vendimeve ekzistuese për zgjidhjen e situatës së tyre. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë Kryeministri Sali Berisha ka nënvizuar se grupi i punës duhet të angazhohet në maksimum për të lehtësuar këtë problem shumë të dhimbshëm. Për Berishës qeveria rimburson miliarda e miliarda lekë, por në radhë të parë rimbursimi i plotë duhet të shkojë pikërisht për familjet në nevojë. Sipas tij, skema e rimbursimit duhet të nisë në radhë të parë nga ata që janë në pamundësi të plotë ekonomike. Kryeministri u shpreh se qeveria në 4 vjet ka rritur buxhetin social nga 6.3% të prodhimit të brendshëm bruto në 9.3%. Megjithatë, ai theksoi se janë një kategori qytetarësh që përballen me dhimbje të thella të jetës së tyre të përditshme, në një kohë kur vendi në tërësi nuk përballet me dhimbje të tilla, pasi mesatarja e gjendjes së vendit është shumë më ndryshe, të ardhurat, mundësitë dhe potencialet e vendit janë të tjera. Duke iu referuar shqetësimeve të ardhura tek ai nga familje të mbetura në mjerim ekonomik për shkak të humbjes së kryefamiljarit, për shkak të fatkeqësive të ndryshme, Kryeministri tha se së pari pushteti vendor duhet t’i identifikojë me përparësi këto familje dhe nuk mund t’i lërë ato në mjerim. “Çdo qeveri punon me skemë, por krahas kësaj skeme janë edhe disa individë apo familje që skema, për specifikat që ata kanë, i lë në mjerim”, - tha Kryeministri. Ai tha se qeveria qendrore nuk mundet në asnjë rrethanë të shënojë secilën prej këtyre familje, këtë duhet ta bëjnë qeveritë vendore dhe prefekturat. “Nuk ka nevojë t’i themi këtij individi se ‘do të të ndihmojmë edhe një muaj apo edhe një tjetër’, por ne i kemi të gjitha mundësitë ta mbështesim atë për problemet më bazale të jetës së tij. Por kryetari i komunës dhe kryetari i bashkisë si dhe prefekti që fle mbi këtë problem, shton në listën e personave në nevojë ekonomike edhe njerëz që mund të kenë të ardhura më shumë sesa edhe ata vet”, - vijoi Kryeministri. Gjatë mbledhjes së qeverisë Berisha tërhoqi vëmendjen e pushtetit vendor dhe të të gjitha enteve kontraktuese që të zbatojnë me përpikëri vendimin për të proceduar vetëm me prokurimet elektronike. Ai theksoi se viti 2009 është viti i prokurimeve elektronike, duke nënvizuar se në mënyrë absolute nuk mund të ketë asnjë lloj prokurimi tjetër përveç atyre elektronike në Shqipëri. Ai nënvizoi se prokurimet elektronike janë tashmë të përcaktuara me ligj dhe ky vendim është i pandryshueshëm.

Grupi i punës

Shefi i ekzekutivit tha se janë një kategori qytetarësh që përballen me dhimbje të thella të jetës së tyre të përditshme, në një kohë kur vendi në tërësi nuk përballet me dhimbje të thella, në një kohë kur vendi në tërësi është shumë larg tyre. Sipas tij, “ky është një problem shumë i dhimbshëm, ndaj për këtë çështje do të ngrihet një grup pune ndërministror”. Ky grup ndërministror do të përbëhet nga përfaqësues të ministrive të ndryshme.

Prokurimet publike

Kryeministri Berisha tha se vendimi i prokurimeve elektronike është i vlefshëm për qeveritë vendore dhe për të gjitha entet kontraktuese. Ai kërkoi nga ministri i Financave që të monitorojë me rigorozitet këtë proces. Berisha tha se qeveria i jep kësaj ministrie të drejtën e rialokimeve dhe të heqjes së fondeve, sepse nuk mund të pritet pa shkak, sepse nuk bëhet procesi i prokurimit elektronik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›