E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara presidenciale, Topi e Topalli favoritët e parë

TIRANE-Kur duhet më pak se një vit që Bamir Topi të mbyllë mandatin si kryetar shteti, kanë nisur ethet presidenciale duke nxjerrë derimë tani në pah vetëm dy alternativa, shkruan sot ne nje artikull e perditshmja Gazeta Shqiptare.

Krahët e të dyja kampeve politike kanë dalë me propozime konkrete, ndërkohë që ende nuk ka zyrtarizim të emrave konkretë duke mbetur kështu në deklarata individësh, por që pas tyre fshihen partitë politike. Aktualisht janë hedhur në treg kandidaturat e Jozefina Topallit, ajo e rikandidimit të Bamir Topit, mbretit Leka ose një kandidaturë e re jashtë këtyre emrave. Por mes këtyre katër alternativave dy kandidaturat më favorite për momentin janë ajo e kreut aktual të shtetit, Bamir Topi dhe e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ndersa aleatët e PS-së mbështesin rikandidimin e kreut aktual të shtetit, e djathta kuptohet qe shprehet pro kryeparlamentares.

Dy ditë më parë Starova i PBLD-së propozoi një grua si pasuese të Bamir Topit duke nënkuptuar hapur kryeparlamentaren.

Ndërsa vetë znj.Topalli, në studion e "News24" e pyetur në "5 pyetje nga Babaramo", ka bërë të qartë se "kryetari i shtetit do të zgjidhet sipas Kushtetutës. Nuk do të ketë pazare. Ne i besojmë votës dhe unë jam besimtare e Kushtetutës". Kurse pyetjes së drejtpërdrejtë nëse ajo do të kandidojë për postin e presidentit të ri të Shqipërisë, Topalli është përgjigjur: "Unë jam kryetare e parlamentit dhe ndjehem shumë krenare që vendi im gjatë kësaj periudhe ka realizuar shumë. Është shumë herët për të folur për këtë". Për sa i përket mundësisë së rikandidimit të Bamir Topit në këtë post, Topalli ka thënë: "Nuk besoj se do të jetë z.Topi. Unë, sigurisht që nuk do ta votoj".

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›