E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hes just not that into you, rrëfim për dashurinë në kinema

Nesër në ekranin e kinemasë fillon shfaqja e komedisë rinore më të përfolur të vitit me protagonistë një kast yjor Hollivudi. Jennifer Aniston e Ben Affleck, Scarlett Johansson e Justin Long, Dreë Barrymore e Bradley Cooper, të gjithë për dashurinë e vërtetë. Në fillim ishte një batutë e thjeshtë televizive, pastaj u shndërrua në një bestseller dhe së fundi provoi metamorfozën e saj në një film. Hes just not that into you, ishte vetëm e vërteta që iu tha Mirandës, njërës prej protagonisteve të Sex and the city për ti treguar se i dashuri i saj nuk po bëhej më i gjallë pikërisht sepse nuk e donte. Prej këtej dy skenaristët e serialit të famshëm televiziv Greg Behrendt dhe Liz Tuccillo, u frymëzuan për të shkruar një roman-guidë zbavitës të gjatë, plot me këshilla për tu mbrojtur nga lidhje të gabuara dashurie. Libri, një rekord i paralajmëruar shitjesh, u bë më pas prologu i një komedie të re hollivudiane, e cila ruajti të njëjtin titull si bestselleri. Tashmë filmi Hes just not that into you është duke bërë me sukses xhiron e botës, që nuk mund të mbyllet pa stacionin shqiptar. Të gjithë ata që kanë ndjekur jehonën e premierave të këtij filmi, që adhurojnë një kast aktorësh protagonistë të Hollivudit, por edhe të gosipeve, si  edhe ata që parapëlqejnë temat e dashurisë kanë mundësi të ndjekin shfaqjen e kësaj romance të spikatur në ekranin e madh të Millennium. Interpretimi i sjelljes, humorit dhe fjalëve të burrave është padyshim një nga temat më të dëshiruara të femrave. Dhe kjo temë nuk është aspak e virgjër për kinemanë hollivudiane. Megjithatë ndryshimi i parë mes romancës Hes just not that into you dhe pjesës tjetër të komedive romantike është fakti se në qendër të saj, nuk ka një mashkull e një femër dhe se problemi nuk është nëse ata do të përfundojnë bashkë, por si do të përfundojnë bashkë. I përshtatur nga romani i Greg Behrendt e Liz Tuccillo, filmi tregon histori nga jeta e përditshme e disa personazheve nga Baltimora, të cilët reflektojnë mbi korrektësinë e marrëdhënieve të tyre në cift.  Jennifer Connelly është gruaja e pakënaqur e  Bradley Cooper; Kevin Connolly është një burrë që dashuron një grua e cila është e dashura e Cooper. Ginnifer Goodwin është një femër e cila është e fiksuar pas Kevin Connolly e cila bën çmos për të sajuar takime me të, Drew Barrymore, luan një femër të çoroditur nga lajkat e meshkujve. Kështu krijohet një seri historish te lidhura mes tyre dhe të ndërthuruara në bazë të keqkuptimeve mes personazheve protagoniste të cilët kërkojnë dashurinë e vërtetë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›