Gati mbërritja e ekspertit të BE
Eksperti që është caktuar nga Brukseli për negociatat është një jurist “që e njeh mirë Shqipërinë”. Kështu theksuan burime diplomatike, por që nuk dhanë emrin apo nacionalitetin e njeriut që do të hartojë bashkë me njerëzit e Berishës dhe Ramës, bazën e shkruar të negociatave teknike. Mësohet se juristi europian ka një përvojë shumë të gjatë në fushën e tij dhe i njeh “mirë hiletë e vendeve si Shqipëria për zgjedhjet”. Ai mësohet se mund të vijë në kryeqytetin shqiptar maksimumi ditën e mërkurë për të iu “përveshur” më pas punës. Mësohet gjithashtu se juristi i caktuar ka punuar edhe asistencën ligjore dhe teknike për vendin tonë nga ana e Bashkimit Europian. Në fakt, BE prej 15 vitesh ka dërguar disa misione teknike asistence për të ndihmuar në hartimin e ligjeve, por edhe rregulloreve të ndryshme. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre ekspertëve janë larguar të pakënaqur nga ana e qeveritarëve shqiptarë, të cilët edhe pse hapur pranonin këshillat, në fund ligjet bëheshin siç donin vetë. Ndaj dhe këtë radhë Brukseli që ka marrë përsipër uljen në tryezë të Kryeministrit Sali Berisha dhe të liderit të opozitës, Edi Rama, do të jetë dhe bashkëhartues i draftit që do të firmoset nga liderët në prezencë të politikanëve që ishin në darkën e 20 majit në Strasburg.
#