Gati nisja e hetimit për lejet e ndërtimit të Edi Ramës dhe kartelit mafioz të ndërtimeve

Grupi parlamentar i partisë Demokratike ka depozituar ditën e djeshme në kryesinë e Kuvendit kërkesën për krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama në periudhën 2007 e në vazhdim. Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar në seancën e fundit të parlamentit, nga deputeti i PD- së, Edi Paloka se komisioni hetimor për kryebashkiakun, Edi Rama së shpejti do ti paraqesë Kryetares së Kuvendit materialin, ashtu edhe ndodhi.
Ka qenë deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri, i cili i ka depozituar kërkesën e grupit të deputetëve të PD-së kryetares së parlamentit Jozefina Topalli. Deputeti Xhaferri ka deklaruar se komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij Plani Rregulluese. Kjo është kërkesa që grupi i deputetëve PD ka dorëzuar dje. 19 lejet e studios "Atelier 4". Mënyra e trajtimit të parave publike do ti nënshtrohen hetimit parlamentar, ka theksuar Xhaferri, i cili akuzon kryetarin e bashkisë Edi Rama për nivel të lartë korrupsioni në institucionin e pushtetit vendor dhe sipas tij ky i fundit i druhet një hetimi. Partia Demokratike akuzon Edi Ramën se ka favorizuar persona të tij të afërt në dhënien e lejeve të ndërtimit. Sipas Partisë Demokratike, nga 18 objekte publike, 14 prej tyre janë projektuar nga studioja Atelier 4, ndërsa nga 12 objektet private që janë miratuar në mbledhjen e fundit të KRT-së, 5 prej tyre janë projektuar nga po e njëjta studio. Sipas tyre ky është modeli i qeverisjes së Edi Ramës, një monopol që i shërben një grushti njerëzish, që merr vendime në konflikt të hapur interesi. Komisioni hetimor do të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga shumica parlamentare dhe 4 nga opozita. Kryetari i tij do të jetë nga grupi politik nismëtar, ndërsa nënkryetari nga opozita. Veprimtaria e këtij komisioni do të përfshijë një periudhë tre javore nga krijimi i tij, një kohë kjo e mjaftueshme për përfundimin e hetimeve dhe hartimin e raportit. Është e dyta herë që për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama kërkohet një hetim parlamentar. Në vitin 2003, kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor, i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike. Në fakt, kërkesa e PD vjen në moment parazgjedhor, ku akuzat kundrejt kryebashkiakut po përdoren si produkt elektoral për vtë minimizuar kapitalet politike të Ediu Ramës përballë votuesve shqiptarë. PD me të gjithë sulmuesit e saj në akuzat e tyre politike ndaj kryebashkiakut Rama kanë harruar implikimin më të madh të një prej funksionarëve të Ministrisë së Olldashit, Marin Biçokut, i cili ka marrë dy leje ndërtimi në KRRT e famshme të së dielës. Marin Biçoku duke qenë drejtor drejtorie në Ministrinë e Olldashit ka shfrytëzuar tagrin e tij për të marrë leje ndërtimi nga grupi i Edi Ramës duke ndarë së bashku konfliktin e interesit që buron nga qenia si anëtarë të KRRT. 26 lejet e dhënë ditën e diel janë në fakt leje të dhëna për grupin Berisha-Rama, ku përfituesit e lejeve të ndërtimit janë mbështetësit e Ramës dhe të Berishës, duke filluar nga sekserët e kryeministrit dhe kryebashkiakut dhe duke mbaruar te pronarët e mediave të ndryshme. Komisioni hetimor për Edi Ramën është një mënyrë për të sheshuar korrupsionin e politikës shqiptare të cilën e ndajnë dhe e bashkojnë interesat ekonomike, duke filluar me lejet e ndërtimit për të vazhduar me pazaret mafioze të parkingjeve në qendër të Tiranës.