Gati të ngremë komisionin dhe të ulemi në negociata
Patozi
Mazhoranca është e gatshme të ngrejë që ditën e enjte komisionin parlamentar hetimor për të diskutuar në lidhje me zgjedhjet e kaluara parlamentare. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në një konferencë për shtyp. Sipas Patozit, mazhoranca është e hapur për të hetuar zgjedhjet, por opozita duhet ta ketë të qartë se objekt hetimi nuk mund të bëhen vendimet e gjykatave. “Ne jemi të gatshëm që mundësisht, këtë të enjte të nisim ngritjen e komisionit parlamentar që do të hetojë zgjedhjet, duke pasur qëllimin e mirë të kthimit të opozitës për të zënë vendet e saj në Parlament”, theksoi Patozi. Sipas tij, është e udhës që kryetari i PS-së, Edi Rama, ta shohë në mënyrë të saktë rezolutën e Asamblesë Parlamentare të KiE-s. Kreu i grupit parlamentar theksoi se opozita nuk mund t’i bëjë karshillëk vendimeve të një institucioni kaq të rëndësishëm siç është KiE. Në lidhje me rolin e Presidentit Topi, si negociator për krizën, Patozi deklaroi se PD e mirëpret kontributin e Presidentit dhe të çdo aktori tjetër, pa asnjë lloj paragjykimi, me garancinë e vetme se në negociata nuk mund të diskutohet për vendimet e gjykatave dhe shtetin e së drejtës.
#