E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, 11 familje kërkojnë dëmshpërblim nga Delijorgji

20/03/2009  Padia Civile në Gjykatën e Lartë, duan nga 20 milionë për çdo familje

Avokati i Shtetit i kërkon Delijorgjit 2 miliardë lekë për dëmet.

TIRANË- Depozitohet në Gjykatën e Lartë një padi civile e firmosur nga 11 familjarë të personave që humbën jetën në 15 mars të vitit 2008. Padia civile, e cila do t’i bashkëngjitet asaj penale, u depozitua dje në orët e para të mëngjesit nga familjarët. Ndërkohë që bëhet e ditur se bashkë me familjarët është pajtuar edhe Avokati i Popullit, i cili ka një tjetër padi të depozituar në këtë gjykata së bashku me dosjen kryesore. Burime pranë gjykatës bëjnë të ditur se familjarët kërkojnë nga Mihal Delijorgji një shpërblim financiar që kap shifrën e 20 milionë lekëve të reja për çdo person që ka humbur jetën. Dosja tashmë ka marrë një pamje tjetër. Personi kryesor i hetuar dhe marr në cilësinë e të pandehurit në këtë dosje, Mihal Delijorgji, duhet të paguaj shumë për jetët e humbura dhe për ato familje që humbën gjithçka nga shpërthimi. Nga ana tjetër edhe shteti nuk ka mbetur prapa. Nëpërmjet Avokatit të Shtetit që përfaqësohet nga Eduard Halimi, ai i kërkon Delijorgjit të dëmshpërblejë për humbjet. Dëmi civil që kërkohet nga ana e shtetit kap shifrën e 2 miliardë lekëve. Dosja penale me emrat e 28 të pandehurve, katër prej të cilëve janë në gjendje të lirë është depozituar në Gjykatën e Lartë në datë 13 mars. Vetëm ditën e mërkurë në 18 mars, pra pesë ditë pas depozitimit, u hodh shorti nëpërmjet goglave. Majlinda Andrea është gjyqtarja që do të drejtoi çështjen. Ndërsa ende nuk është caktuar data për fillimin e gjykimit. Dosja është voluminoze. Në brendësi të saj janë 60 fashikuj. Organi i akuzës pretendon se e ka përfunduar dosjen në kohën e përcaktuar nga ligji dhe ka futur brenda saj të gjitha provat e domosdoshme dhe që vërtetojnë shkaqet që sollën tragjedinë. Në 15 mars 2008 në Gërdec shpërtheu depo e municioneve, të cilat ishin grumbulluar për të demontuar. Vetëm gjatë seancës gjyqësore do të mësohet shkaku që solli pasojën e rëndë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›