E Shtunë, 31 Tetor 2026

Levan-Tepelenë, puna ngec për mungesë parash

Rruga

Prej dy muajsh në aksin rrugorë Levan-Tepelenë nuk punohet. Shkak është bërë mospagesa e firmave nënkontraktore për punimet. Firma nënkontraktore AEC nuk ka shlyer prej afro tre muajsh asnjë nga firmat me të cilat ka bashkëpunuar për kryerjen e punimeve, ndonëse i ka marrë paratë. Për pasojë, më shumë se 200 punëtorë kanë mbetur pa rroga prej disa muajsh. “Ka pak ditë që ka kaluar në muajin e tretë mospagesa jonë. Pronarët ku punojmë na kanë thënë se lekët i ka marrë firma AEC dhe është larguar pa asnjë informacion”, thotë Aguri, një prej punëtorëve të papaguar. Për këtë arsye, punëtorët kanë ndërprerë punimet në autostradë që prej dy javësh. “Nuk do të nisë asnjë punim nëse nuk paguhemi. Ky është vendimi i marrë nga shumë firma nënkontraktore, si dhe nga punonjësit e tyre”, ka thënë njëri prej punëtorëve. Autostrada Levan-Tepelenë e ka shtrirë trasenë e saj deri në fshatin Damës, të Rrethit të Tepelenës. Deri më tani vetëm gjurma e autostradës është mundësuar dhe janë kryer një numër i vogël veprash arti. Ritmet e punimeve, si dhe problemet me pagesat, duket se do ta lënë në fazën aktuale autostradën. Prej më shumë se dy muajsh edhe autostrada Levan-Vlorë ka ndërprerë punimet, si shkak i mungesës së pagesave nga firma “Alban Tirana”. Punonjësit e papaguari kanë paditur në prokurori firmën, ndërkohë që kanë kërcënuar se do të futen në grevë urie, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›