Gjata: Listat zgjedhore, të sanksionohet e drejta e apelimit
Afrimi i zgjedhjeve, qofshin ato lokale, apo edhe të parakohshme si mundësi, aktualizon debatin për Kodin Zgjedhor, i cili kërkon ndryshime. Ish-kryetari i KQZ-së, çlirim Gjata, është ndoshta i pari që hedh disa ide konkrete, ku përfshihen disa alternativa teorike për Kodin e ri Zgjedhor, nisur nga problemet e hasura në 2009-n, por referuar edhe specifikës së zgjedhjeve lokale.
Zoti Gjata, së fundmi ju keni përcjellë disa ide rreth asaj që mund të quhet edhe nevojë për rishikim të Kodit Zgjedhor. Sipas jush, cilat janë ato pika që kanë nevojë për korrigjim?
E para, zbatimi i këtij Kodi ka çaluar tek administrimi, i cili në terma të tjerë përfaqësohet si shprehje e barazisë partiake. Pra, të dyja palët, shumicë dhe opozitë kanë një numër të barabartë komisionerësh. Ne problemet më të mëdha i kemi pasur gjatë votimit dhe gjatë numërimit, p.sh. në qendrat e votimit përvoja ka treguar se lejohet dhe tolerohen cedime nga dispozitat e Kodit. Mund të përmendim këtu rastet e votimit familjar, për arsye të njohjes etj., shembuj të njohur pra. Por këtu duhet nënvizuar se kjo ndodh në prezencë të të dyja palëve, edhe pse ankimet nisin pas përfundimit të procesit. Pra kemi një problem në këtë rast. Si mund të rregullohet kjo gjë? Kjo gjë mund të rregullohet duke ruajtur të njëjtën përbërje me komisionerë partiakë, por drejtimin ta ketë një nëpunës shtetëror. Dhe kjo të gjejë zbatim në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor.
Ky person mendoni se mund të mbajë edhe kompetencat aktuale të kryetarit?
Po, me kompetencat aktuale të kryetarit. Ky nuk realizon dot shkelje atje, sepse ka dy mbikëqyrës politikë aty dhe e dyta ky vetëm nuk mund të lejojë shkeljet, sepse mban përgjegjësi direkte. çfarë ndodh? N.q.s. do ketë votime familjare, pa karta apo pa pasaporta, do mbajë përgjegjësi ky person dhe jo komisionerët.
Ju sugjeroni sanksionimin në Kod të përgjegjësive?
Po kjo duhet rregulluar me ligj. Ky është hapi i parë i tranzitimit drejt një administrate të pavarur. Më duhet ta rishpjegoj këtë term: me të pavarur duhet të kuptojmë qartë një administratë të përgjegjshme dhe jo thjesht politike që merr urdhra nga partitë. Në rastin që unë propozoj, personi që mban me ligj detyrën e kryetarit, nuk ka sesi të marrë urdhra partiakë, sepse e ka në kurriz përgjegjësinë dhe nuk ka sesi ta mbrojë partia para ligjit.
Si do të mund të zgjidhej një drejtues i tillë në mënyrë që të shmanget kontestimi?
Sesi mund të zgjidhet janë probleme teknike. Mund të jetë nëpunës i fshatit, edhe nga partitë politike, nga KQZ që ia delegon KZAZ, ose mund të zgjidhet nga pushteti vendor. Por ama të dihet që është një dhe ky e ka përgjegjësinë, varet nga shteti ky njeri. Prandaj them që ky të quhet nëpunës shtetëror dhe jo partiak. Me të rënë dakord për këtë atëherë edhe zgjedhja e tij është e lehtë. Si zgjidhen gjyqtarët? Pse ju e përjashtoni faktin që një gjyqtar mund të ngrejë telefonin dhe të marrë një urdhër apo një kërkesë nga një parti? Ndodh në tërë botën kjo, pra duhet të jemi realistë. Kështu pra trajtohet edhe administrata zgjedhore. çështja nuk qëndron te fakti do jetë partiak apo jo, i varur apo i pavarur; ai do jetë i përgjegjshëm. Tani ke ku ta drejtosh gishtin; nuk mund të thuash nesër që zgjedhjet mi vodhën komisionerët e mi. Pra evidentohet përgjegjësia dhe përgjegjësia është individuale.
është e logjikshme që kjo formulë të aplikohet edhe për KQZ, sipas jush?
Askush nuk ka thënë deri më sot se KQZ-ja ka prishur zgjedhjet. Sa e njoh unë KQZ, sepse nuk dua të bëj gjyqe ndaj institucioneve. Problemet që janë hasur në zgjedhje, siç u thanë më sipër, lidhen me procesin administrativ që zhvillohet poshtë dhe jo në KQZ; ky i fundit është thjesht administrator. Atëherë dalim te teza tjetër, që pse të mos i lihen zgjedhjet Ministrisë së Brendshme, por e di që është e parakohshme, për konceptin shqiptar të administrimit zgjedhor, por jo për mua. Këto gabime pra nuk kanë ardhur për shkak të KQZ-së, por për shkak të komisionerëve poshtë.
Ju keni hedhur idenë edhe të një kontrolli në hartimin e listave të zgjedhësve. Në fakt ku konsiston kjo procedurë kontrolli?
Kjo është një çështje tjetër, e cila sidomos në zgjedhjet lokale do të jetë shumë e prekshme. Këtu kemi një problem. Në bazë të nenit 48, organi që harton dhe miraton listat e zgjedhësve është drejtuesi i pushtetit vendor. Përveç kësaj, ky cakton edhe qendrat e votimit, numrin e tyre për një njësi vendore, numrat që ato do marrin dhe mbi të gjitha adresat, duke ndarë listën e plotë të njësisë për çdo qendër. Deri këtu ky proces rregullohet me një procedurë të detajuar në Kodin Zgjedhor dhe do të thosha edhe shumë cilësore. Problemi me këtë pjesë të Kodit lidhet me atë se kush e kontrollon punën e tij. Hartimi i listave bëhet në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, por kjo në praktikë nuk është edhe aq e vërtetë sa duket. çështjen unë e shoh më defektoze, te caktimi i qendrave të votimit, siç është ndarja e një QV apo bashkimi i dy QV, çfarë ka ndodhur shpesh në të kaluarën. Në zgjedhjet lokale kjo ndodh sepse interesi i drejtuesit vendor është i drejtpërdrejtë, sepse ky drejtues që drejton gjithë këtë operacion parazgjedhor mund të rikandidojë vetë. Ky pra bën listat që do i shërbejnë atij. Unë nuk them që t’i hiqet e drejta pushtetit vendor dhe drejtuesit, të mbahet, por edhe të kontrollohet. E vetmja mënyrë kontrolli në hartimin e listave paraprake aktualisht është që qytetarët që nuk gjejnë emrin ankohen te drejtuesi i pushtetit vendor, ndërsa pasi hartohen listat përfundimtare qytetari shkon në gjykatë. Pse e shoh problemin te QV? Sepse është në interesin direkt të drejtuesit të pushtetit vendor, i cili e di se cila QV voton për këtë parti apo për një tjetër. Dhe çfarë ka ndodhur? QV tek universiteti ai e zhvendos te treni dhe anasjelltas. Problemi është kush i kontrollon pra këto veprime? Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë me ankim e kontrollon Gjykata e Apelit, ndërsa në rastin tonë ky proces nuk aplikohet.
Si mund të zgjidhet teknikisht kjo?
Duhet që ose një grup zgjedhësish, subjektet politike të interesuara ose kandidatët të kenë të drejtë që të ankimojnë këtë punë diku. Pra duhet që në Kod të parashikohet procedurë ankimimi për këtë çështje ose në qark, ose te prefekti, ose në KQZ. çfarë ka ndodhur: bëhen zgjedhjet, ankohen humbësit, por rezultati nuk rishikohet, sepse për këto shkelje zgjedhjet nuk kthehen për pavlefshmëri mbrapsht, sepse t’i duhet ta kontrolloje më parë këtë gjë.
#