E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër; Asgjësohen 1182 rrënjë bimë Kanabis sativa

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të koduara që Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës ka zhvilluar në të gjithë territorin e qarkut për “Evidentimin dhe shkatërrimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike”, rreth orës 17:00 të së enjtes, Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të grumbulluara më parë, kanë zhvilluar një tjetër operacion i cili është finalizuar me sukses.

Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të policisë lokale, sipas të cilave, operacioni është zhvilluar në komunën e Picarit të rrethit Gjirokastër, në pyllin e fshatit Kaparjel, i cili është i pabanueshëm, pasi është braktisur nga banorët vite më parë.

Në vendin e quajtur Përroi i Pilatit janë evidentuar 3 parcela të hapura rishtas për të kultivuar bimë narkotike. Sipas policisë, në këto parcela janë evidentuar gjithsej 1.182 rrënjë bimë të dyshuara si Kanabis sativa, të cilat varionin nga 180 centimetra deri në 290 centimetra të larta dhe ishin në fazën e fundit të pjekjes.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së rrugës automobilistike bimët narkotike janë asgjësuar në vend me anë të djegies, ku disa bimë dhe sendet e tjera të gjetura në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës kanë grumbulluar informacione në rrugë operative për autorin e mundshëm të këtyre bimëve narkotike dhe po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për kapjen e autorit të kësaj vepre penale. Sakaq, mësohet se deri më tash policia e Gjirokastrës gjatë këtyre aksioneve ka shkatërruar rreth 27.000 rrënjë bimë të llojit kanabis sativa.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›