Gjendet i vdekur në lokal pronari 75-vjeçar
26/03/2010 KORÇE-Një ngjarje tjetër e rëndë kriminale është regjistruar në rrethin e Korçës. Mëngjesin e së enjtes, në fshatin Pojan të këtij rrethi, Nexhat Gega, 75 vjeç, pronar i një dyqani u gjet i vdekur në ambientet e brendshme të kësaj ndërtese. Gega u gjet mes një pellgu me gjak, dhe i dëmtuar në pjesën e pasme të kokës. Plagët e vështira i kishin sjellë vdekjen e menjëhershme. Gjithçka tregonte se vdekja e tij kishte ndodhur pas një përleshjeje të mundshme mes tij dhe personave ende të paidentifikuar. Këta të fundit kishin mundur të hynin në magazinë, të vrisnin pronarin e dyqanit dhe të largoheshin që andej me të njëjtën gjakftohtësi, ashtu siç e kishin inskenuar planin e tyre që në fillim. Ende nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje. Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë nuk ka mundur të japë dot asnjë version, por familjarët e viktimës pretendojnë se gjithçka mund të ketë ndodhur për motive grabitjeje. Gjithsesi ekspertët e policisë janë duke punuar për rindërtimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, vetëm atëherë ndoshta do të ketë një informacion prej saj. Familjarë të viktimës, pohuan se 75-vjeçari, Nexhat Gega, ishte gjetur i vdekur vetëm në mëngjes nga djali i tij, kur ky i fundit kishte shkuar në magazinë. Babai i tij gjendej i shtrirë në mes të dyqanit dhe i mbuluar nga gjaku. Ndërkohë kishte vërejtur se xhamat e dritares në pjesën e pasme të dyqanit ishin të thyer. Pak a shumë gjithçka kishte qenë e kuptueshme: dikush apo disa persona kishin hyrë që nga dritarja dhe kishin sulmuar Gegën. Familjarët kanë mendimin se gjithçka mund të ketë ndodhur në orët e vona të natës, kur vjedhësit mendonin se 75-vjeçarin mund ta gjenin në gjumë. Sipas të gjitha gjasave (sepse policia deri më tani nuk ka mundur të rindërtojë ngjarjen), Gega mund të mos ketë qenë në gjumë, ose i ka pikasur që në momentin e parë kur personat e paidentifikuar kishin thyer xhamin. I gjendur në këto rrethana ai është përleshur me grabitësit. Gjithnjë sipas familjarëve, babai i tyre ose mund të jetë vrarë nga goditjet që kishte marrë në pjesën e pasme të kokës, ose në një moment kur ai mund të jetë rrëzuar gjatë përleshjes me grabitësit, dhe koka e tij të jetë përplasur në materialet e dyqanit. Familja Gega kishte kohë që kishte hapur në hyrje të fshatit Pojan një dyqan me materiale ndërtimi. Për këtë arsye, meqenëse dyqani ishte larg shtëpisë ku banonte familja Gega, 75-vjeçari flinte në dyqan edhe për të ruajtur materialet që tregtonin. Gjithsesi, mëngjesin e së enjtes ai u gjet i vdekur, ndërsa ende nuk dihen autorët e këtij krimi. Gjatë veprimeve të para të policisë u shoqëruan disa bashkëfshatarë të viktimës, por edhe nga marrja në pyetje e tyre nuk është bërë e mundur të shkohet drejt autorit të krimit.