E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur në shtëpi, dyshohet për vrasje

Nga Albana Çakshiri
Fakti që viktima ishte i gjakosur në fytyrë dhe është gjetur në mes të korridorit të shtëpisë së tij, ka ngritur mjaft dyshime se ai mund të jetë vrarë dhe jo të ketë vdekur aksidentalisht. 

KORCE- Një 53-vjeçar i divorcuar është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij, por ka mjaft dyshime se mund të jetë vrarë.
Kufoma e Ferat Zenunit, banor i fshatit Rehovë të Korçës, është zbuluar nga një i afërm që kishte shkuar ta vizitonte. Viktima u gjet në mes të korridorit të shtëpisë. Në fytyrë ishte krejtësisht i gjakosur dhe kjo ka bërë që veç vdekjes aksidentale, të ngrihen dyshime për një krim të mundshëm ndaj tij. Trupi i pajetë i Zenunit është dërguar në morgun e spitalit të Korçës, ku mjekoligjorët do të përcaktojnë shkaqet e vërteta të vdekjes së tij.
Ngjarja
Rreth orës 14.45 të ditës së djeshme, në shtëpinë e Ferat Zenunit, nga fshati Rehovë në Korçë, ka mbërritur për vizitë një i afërm i familjes. Ai ka trokitur në shtëpi, por kur nuk ka marrë përgjigje, ka shtyrë derën kryesore për të parë se çfarë po ndodhte me të afërmin e tij. Burri është tmerruar kur ka parë 53-vjeçarin të vdekur në korridorin e shtëpisë. Sipas hetimeve të para të policisë lokale, mësohet se 53-vjeçari Ferat Zenuni jetonte i vetëm, pasi pak kohë më parë ishte divorcuar nga e shoqja. Kjo e fundit së bashku me fëmijët jetonte në një tjetër shtëpi, në po këtë fshat. Burime policore thanë se burri është gjetur në korridorin e shtëpisë, i përgjakur në fytyrë, si dhe me njolla gjaku të tjera në të.
Dyshimet
Dyshimi kryesor i policisë është për një vdekje aksidentale të viktimës, pas humbjes së një ekuilibri të mundshëm, gjë që e ka bërë atë të përplaset me një kornizë anësore druri në dysheme, teksa duket se më pas është zhvendosur përsëri, deri në afërsi të derës kryesore të shtëpisë, por ka pësuar një tjetër përplasje. Burime të policisë së Korçës bëjnë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që vdekja të jetë e lidhur edhe me një akt kriminal të mundshëm, ndonëse nuk ka pasur ndonjë vjedhje në banesën e varfër të të divorcuarit. Kufoma e 53-vjeçarit është transportuar për në spitalin e Korçës, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimit të autopsisë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›