Sindikatat reagojnë ndaj këshillit bashkiak
Sindikata e pavarur e punonjësve në Fier ka reaguar pas miratimit një ditë më parë nga Këshilli i Bashkisë Fier për kalimin e ndërmarrjeve të gjelbërimit dhe pastrimit me sipërmarrje private. Edhe pse ky ishte një vendim i njëanshëm, që ende nuk është i ligjshëm, sindikalistët kanë kërcënuar me protesta. “Dalim në këtë deklaratë për shtyp, për të kundërshtuar vendimin e disa këshilltarëve të këshillit bashkiak (të djathtëve) për heqjen nga administrimi i Bashkisë Fier të ndërmarrjeve të gjelbërimit dhe pastrimit dhe kalimin e tyre me sipërmarrje. Ne jemi pala që dëmtohemi dhe duke qenë si të tillë, duhet të pyeteshim si grup interesi nga këshilli”, tha në deklaratën e tij kreu i sindikatës, Agron Koçiu. Sindikalistët e kanë nisur protestën e tyre fillimisht me një deklaratë, ndërsa kanë theksuar se do të vijojnë me një protestë në sallën e këshillit bashkiak në mbledhjen e tij të radhës dhe që do të vijojnë më pas me protesta masive. “Nëse nuk do të dëgjohemi dhe nuk do të vlerësohet mendimi ynë, do të vijojmë protestat e përshkallëzuara jo vetëm në bashki, por dhe në prefekturë, deri në bllokim rrugësh kryesore. Ne nuk jemi të padukshëm, jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe duhet të respektohet mendimi dhe duhet të vlerësohen atakimet tona sociale dhe morale”, tha Agron Koçiu.
#