E Diel, 1 Nëntor 2026

OEK: Bizneseve po iu bëhet presion me tatime

Nga Express më 03 shkurt 2011 në ora 20:12

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) angazhohet për luftimin e ekonomisë informale, por është kundër fushatës që është duke e bërë Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ndaj bizneseve, të cilat në mënyrë të rregullt dhe me kohë paguajnë obligimet ligjore ndaj shtetit të Kosovës.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se OEK-u ka marrë shumë njoftime se inspektorët e ATK-së kanë rritur presionin mbi biznesin për pagesën e tatimeve.

"Ne si Odë Ekonomike vetëm mund t’i gëzohemi intensifikimit të luftës kundër informalitetit në ekonomi. Por, nuk jemi për fushatat ad hoc që në mënyrë selektive i përfshijnë tatimpaguesit dhe mund të krijojnë huti, madje edhe panik në komunitetin e biznesit”, tha ai.

Haliti: Po punojmë sipas ligjit

Behxhet Haliti, drejtor i Administratës Tatimore e Kosovës ka hedhur poshtë akuzat e komunitetit të biznesit se kjo administratë po u bënë presion atyre për të mbushur me çdo kusht arkën e shtetit.

Kreu i ATK-së, Behxhet Haliti ka pohuar se “Inspektorët e këtij institucioni po respektojnë ligjin dhe në asnjë moment nuk po i ndëshkojnë bizneset pa bazë”, ka deklaruar Haliti për portalin Qendra.info.

Sipas tij, sivjet inspektorët do të jenë më aktivë jo vetëm për shkak të obligimeve që u ka bërë qeveria, por edhe për shkak të përmirësimit të kushteve të administratës. Për vitin 2011 Haliti ka thënë se presin të përmbushin objektivat që arrin në rreth 270 milion euro nga tatimet.

Reagimi i drejtorit të ATK-së ka ardhur pas një konference për shtyp të kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili ka thënë se inspektorët e ATK-së kanë rritur kohëve të fundit presionin mbi biznesin për pagesën e tatimeve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›