Shefi i EULEX-it në Shkup, për kufirin
Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë (MPB), Gordana Jankuloska dhe shefi i EULEX’it, Xavier de Marnhac, biseduan të premten në një takim të kërkuar nga ky i fundit.
“Njeriu i parë i EULEX-it, mes tjerash, e theksoi nevojën për gjetjen e mënyrës për thjeshtëzimin e procedurave të vendkalimeve kufitare në rast të urgjencës, si për shembull, në rast të nevojës urgjente për evakuim mjekësor të personelit të tyre e ngjashëm, për çka ministrja Jankuloska ka shprehur mirëkuptim të plotë”, thuhet në njoftimin e MPB të Maqedonisë.
De Marnhac ka aktualizuar edhe mundësinë për hapjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare me policinë kufitare kosovare. Në këtë kontekst, ministrja Jankuloska ka potencuar se kufiri duhet të jetë i sigurt dhe i mbyllur për krim dhe kriminelë, por në të njëjtën kohë edhe më me rëndësi është që ai të jetë i hapur për qarkullim të lirë të mallit dhe njerëzve.