E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Loja” e Dajtit vazhdon, e braktis edhe avokati i tij

25/02/2010 Qeleshi “tradhton” Dajtin, jep dorëheqjen, zëvendësohet me avokat kryesisht

TIRANË- Arben Qeleshi, avokati personal i Dritan Dajtit, nuk e kishte tradhtuar klientin e tij asnjë ditë që nga momenti i arrestimit më datë 7 gusht 2008, por dje duket se ka filluar të bëjë manovrën e radhës, duke e braktisur atë. Tre muaj pas fillimit të procesit gjyqësor, avokati Qeleshi, i cili kishte marrë përsipër ta përfaqësonte në mungesë dhe të bënte çdo kërkesë në favor të klientit, ai tërhiqet. Arsyeja e tërheqjes së avokatit në momentin kur ende nuk ka nisur shqyrtimi gjyqësor, është mosdhënia e mundësisë për takim dhe konsultimet e munguara me të. Ndërkohë vetëm një seancë më parë avokati Qeleshi i deklaroi gjykatës se kishte bërë takim me klientin e tij dhe mori pëlqimin për paraqitjen në gjyq. Para trupit gjykues, avokati Qeleshi tha se nuk mund të vazhdojë të mbrojë klientin e tij për disa arsye. E para, sipas tij, është gjendja e rënduar shëndetësore dhe kushtet në të cilat ai mbahet. Sipas avokatit Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të policisë në plazhin e Durrësit, mbahet i lidhur këmbë e duar. “Në këto kushte unë nuk mund të komunikoj me të dhe nuk mund t’i shpjegoi hapat në të cilat është duke ecur procesi gjyqësor”, tha avokati Arben Qeleshi. Pas tërheqjes, gjykata e ndodhur para një salle të zbrazur nga i pandehuri dhe avokati mbrojtës, u deklarojë mungesën e të pandehurit dhe të bëjë zëvendësimin e tij me një avokat kryesisht. Në vend të Qeleshit u caktua Valentina Teudoresku. Por duket se edhe ky zëvendësim nuk do të ecë. Praktika e shumë proceseve gjyqësore ka treguar se avokatët që caktohen nga familja në asnjë rast nuk mund të zëvendësohen nga ata kryesisht edhe pse trupi gjykues e ka këtë të drejtë. Pas kësaj seance gjithçka do të jetë në duart e vet të pandehurit. Në një moment ai pranon të jetë në sallën e gjyqit duke larguar avokaten dhe kërkuar avokatin e tij. Kështu rinis gjithçka nga e para. Dritan Dajti i ndihmuar nga familja do të kërkojë të përfaqësohet nga avokati që do ai, e jo nga avokat kryesisht. Në këto kushte procesi gjyqësor është futur në një ngërç, të cilin e ka në dorë ta zgjidh vetëm i pandehuri dhe më pas gjykata me vendimet e saj të ndërmjetme.

Dajti: Nuk vij në gjyq, jam sëmurë

Nga njëra anë avokati jep dorëheqjen dhe nga ana tjetër Dritan Dajti nënshkruan një deklaratë nëpërmjet së cilës tregon se nuk ka dëshirë të jetë pjesë e procesit. “Unë Dritan Dajti deklaroi se nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore dhe në këto kushte nuk dua të paraqitem në gjyq”. Kaq është dashur gjykatës të lexojë nga përgjigja e Dritan Dajtit për të shpallur më pas mungesën dhe vazhdimin e gjykimit. Dritan Dajti tashmë ka mbetur pa avokat dhe atij i duhet të zbresë në sallën e gjyqit për të riparuar atë që prej më shumë se tre muajsh është duke e mbajtur peng. Në sallën e gjyqit vijnë edhe familjarët e të pandehurit, të cilët marrin dijeni për gjithçka.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›