Topalli: Opozita ta shohë me optimizëm Shqipërinë në NATO
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli iu përgjigj kritikave të opozitës socialiste pasditen e djeshme në parlament duke këshilluar që ajo ta shohë me optimizëm Shqipërinë në NATO. Kryetarja Topalli, duke iu referuar qëndrimeve kritike në vijimësi nga opozita, lidhur me procese të rëndësishme të zhvillimit të vendit, i këshilloi ata të mos vajtojnë në ditë feste siç ishte hyrja në NATO.
"Përpara ngjarjeve të mëdha ka pasur prononcime të tilla nga opozita. Kështu, para marrjes së ftesës në NATO, një zonjë, zëdhënëse e Edi Ramës, më 2 prill 2008 deklaroi se Shqipëria nuk do ta marrë festën, por pas marrjes së ftesës ju bëtë protestë. Para se të firmosnim MSA-në u tha se kurrë nuk do ta nënshkruani atë, por kur u nënshkrua deklaruat se do të vonohej nja 15 vjet ratifikimi i saj. Sot thoni se nuk do të kemi karta. Ju këshilloj ta shihni me optimizëm Shqipërinë në NATO. Nuk është mirë të vajtoni në ditën e festës, aq më tepër kur më shumë se sot nuk ka pasur përpjekje për të krijuar një infrastrukturë moderne me karta e pasaporta biometrike", tha kryetarja e Kuvendit, duke iu përgjigjur qëndrimeve kritike të opozitës, në seancën e sotme në parlament. Kryetarja Topalli në emër të deputetëve, shprehu falenderimin për Presidentin amerikan Barack Obama, lidhur me vlerësimin e tij për hyrjen e Shqipërisë në NATO. "E falenderoj Presidentin Obama për deklaratën e tij, për krenarinë e tij që Shqipëria ka hyrë në Aleancë dhe vlerësimin e tij për përpjekjet dhe reformat e jashtëzakonshme që vendi ynë ka bërë gjatë kësaj periudhe", tha znj. Topalli. "Festa vazhdon, vijoi ajo, duke u shprehur se sot është një ditë e madhe, po ashtu si dje. Edhe nesër do të jetë një tjetër ditë e madhe, kur flamuri shqiptar do të ngrihet në Bruksel. Falenderoj kryetaren e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj për përfaqësimin e saj dinjitoz në Samitin e 60-vjetorit, por po ashtu shpreh keqardhjen që disa prej jush nuk u bashkuat dje me shumicën e shqiptarëve në një takim të jashtëzakonshëm e të paparë".