E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokaster, trakte në qytet kundër Vasil Bollanos

Nga Ismail Xhaferi
Letërshkruesit anonimë, apel shqiptarëve: Firmosni peticionin kundër vrasësit të Himarës dhe shqiptarizmit. Fletushkat vendosur nëpër shtyllat ku zakonisht vendosen lajmërimet e vdekjeve 

GJIROKASTËR -Fletushka në madhësinë e një flete të zakonshme formati kanë zbar-dhur dje në mëngjes shtyllat dhe muret e ndërtesave në qytetin e Gjirokastrës. Në këto fletushka, që ngjanin me traktet e dikurshme, u bëhej thirrje banorëve të Gjirokastrës dhe gjithë popullit patriot shqiptar, që të kundërshtojnë tentativat e kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano dhe Bollanove të tjerë për të aneksuar Himarën. Një pjesë e madhe e këtyre thirrjeve ishin vendosur nëpër shtyllat ku zakonisht vendosen lajmërimet e vdekjeve, si për të thënë se kush tenton të greqizojë Himarën, e pret vdekja. Tekstshkruesit anonimë i kanë shpërndarë këto thirrje në çdo skaj të qytetit jugor. Ndërsa, njëra prej tyre ishte ngjitur në monumentin e heroit të popullit, Çerçiz Topulli, i cili ndodhet në qendrën historike të qytetit të gurtë. Në fletët, shkruhej ndër të tjera se shqiptarët kudo që ndodhen duhet të mblidhen bashkë kundër poshtërimit dhe përbuzjes të atyre lloj njerëzve që shesin edhe shpirtin për t'u bërë shërbëtorë të djallit. "Ejani në Himarën tonë, ejani në Shqipërinë që ndrin, për krenarinë dhe lirinë që e kemi mbrojtur me gjak në shekuj, me atë gjak që ka qenë dhe mbetet kuq e zi. Ejani, për të mos e lënë Himarën tonë të bëhet blu", - theksojnë autorët e thirrjes, duke nënkuptuar flamurin e Greqisë. Autorët e "trakteve" anti-Bollano, bëjnë thirrje për të reaguar kundër atyre "që u dhamë respektin, mikpritjen e shqiptarit dhe tani si pa gjë të keqe na ofendojnë në vatrat tona". "O shqiptar! Si mund të durosh kur të thonë se gjaku yt është bardhë e blu, të të poshtërojnë në shtëpinë tënde dhe në sy të gjithë botës. Ti që ke dhënë jetën e shpirtin për këto troje, që je vazhdues i atyre heronjve që u dogjën dhe u përvëluan, u vranë dhe u martirizuan për ty, si mund të durosh?!" - shkruhet në fletushkat e ngjitura në mure dhe shtylla. Në fund të këtyre traktateve u bëhet thirrje gjirokastritëve që të firmosin pa hezitim peticionin kundër Vasil Bollanos, i cili cilësohet prej tyre vrasës i Himarës dhe i shqiptarizmit. Fletushkat e shpërndara gjithandej në qytet tërhoqën vëmendjen e qytetarëve, të cilët nda-leshin në rrugë dhe lexonin se çfarë shkruhej në to. Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë reagim nga Policia e Gjirokastrës apo organizata OMONIA. Ndryshe nga herët e tjera, kur policia griste apo hiqte nga muret "trakte" me përmbajtje të kësaj natyre, dje nuk pati asnjë ndërhyrje. Gjithçka tek strukturat e shtetit ka kaluar qetësisht, por jo tek qytetarët, të cilët nëpër dhëmbë akuzonin shtetin që është dorëzuar para qarqeve shoviniste greke në Shqipëri.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›