E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobëvëniet, pezullohen hetimet ndaj Dajtit

08/08/2011  Mungojnë provat, prokuroria ndërpret hetimet për 9 gjobat ku autor dyshohej se ishte 40-vjeçari Dritan Dajti

Biznesmenët VIP mohuan t’i kenë dhënë para Dajtit, SHISH e Policia referuan rastet në prokurori

TIRANE- Prokuroria pezullon hetimet për Dritan Dajtin, i cili pas arrestimit për vrasjen e katër policive u dyshua si autor edhe i 9 gjobëvënieve ndaj biznesmenëve VIP në Tiranë e në rrethe të tjera. Vendimi duket se është marrë pak kohë më parë nga drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët në mungesë të provave për kualifikimin e akuzës “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” kanë vendosur të pezullojnë hetimet për procedimin penal me nr. 62/2. Në fakt, ky procedim lindi nga dosja me nr. 62/1 të regjistruar në vitit 2009, në të cilën 40-vjeçari Dritan Dajti u akuzua për vrasjen e katër policëve të grupit të operacioneve speciale (GOS). Mirëpo nga informacionet e ardhura nga agjentët e policisë dhe atyre të SHISH-it lidhur me 9 gjoba të vendosura biznesmenëve prokuroria hapi dhe një dosje tjetër kundër Dritan Dajtit, ku këtë herë ai dyshohej për gjobëvënie. Me regjistrimin e këtij procedimi burimet nga prokuroria konfirmuan për gazetën “Metropol” se janë marrë në pyetje nëntë biznesmenë të ndryshëm. Mes tyre ndërtues të njohur, pronarë tokash dhe tregtarë e koncesionarë të ndryshëm në vend. Mësohet se asnjëri nga këta persona, që tashmë janë marrë në pyetje nga prokurorët e çështjes, nuk ka pranuar se është gjobitur apo të kenë paguar ndonjë shumë të ndryshme parash tek i kërkuari Dritan Dajti para arrestimit të kryer më 7 gusht 2009 në qytetin e Durrësit.

SHISH dhe policia

Por ndryshe nga çfarë pohojnë biznesmenët, materialet e policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror tregojnë për një aktivitet të madh të Dajtit si gjobëvënës. Për rreth dy vjet SHISH-i dhe më pas policia kanë punuar në mënyrë operative, duke mbajtur në mbikëqyrje Dajtin dhe mbushur dalëngadalë dosjen me materiale në ngarkim të tij. Kjo dosje përmban informacione konfidenciale dhe materiale të mbledhura nga agjentët e SHISH-it në terren dhe tashmë ndodhet në duart e prokurorisë. Por ligji pengon përdorimin e materialeve operative të SHISH-it si prova dhe për këtë arsye gjatë një viti e gjysmë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kryer verifikime për të provuar informacionet e servirura nga agjentët. Gjatë kësaj periudhe organi i akuzës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, duke pyetur biznesmenët e përfolur si dhe disa persona të tjerë, që mendohet se kishin dijeni mbi gjobëvëniet. Por në kushtet kur biznesmenët kanë mohuar një fakt të tillë si dhe kur mungojnë prova të tjera, që do të faktonin akuzën e gjobëvënies, prokuroria ka vendosur të pezullojë hetimet rreth kësaj çështjeje. Burimet shtojnë se në rast se në të ardhmen nga policia dhe SHISH-i do të konstatohen prova, atëherë dosja do të rihapet sërish për t’u hetuar.

9 akuza për Dajtin

Momentalisht lidhur me procedimin nr. 62/1 prokuroria ka ngritur ndaj 40-vjeçarit Dritan Dajti 9 akuza, mes të cilave vrasja e policëve Sajmir Duçkollari, Fatos Xhani, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj. Akuzën e vrasjes ndaj Dajtit prokuroria ka ngritur edhe për vrasjen e shokut të tij Ledion Mara. Ndërkohë që akuza e pestë është ajo e plagosjes së shtetasit Fation Shamku. Gjithashtu në ngarkim të Dritan Dajtit rëndon akuza e mbajtjes pa leje të armëve luftarake, e falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, duke falsifikuar dhe përdorur dokumentet e mjetit tip “Volksvagen-Touareg” me targë Cr 535 FR, falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve, duke falsifikuar dhe përdorur tri dokumente policie.

Pa autor plagosja e Dajtit

Për plagosjen e Dritan Dajtit në operacionin e 7 gushtit në Durrës vitin e kaluar Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka deleguar prokurorisë së Durrësit një material hetimor, ku kërkohej vazhdimi i hetimeve për të zbuluar policët që plagosën me armë zjarri të shumëkërkuarin Dajti. Aktualisht kjo dosje është pushuar, pasi dhe vetë policët që kishin marrë pjesë në operacion nuk kanë treguar se cili nga ata ka qëlluar me armë në drejtim të Dajtit.

Dritan Dajti i paralizuar

I konsideruari nga policia me nofkën “Dhelpra”, tashmë 40-vjeçari Dritan Dajti nuk mund të ketë më shkathtësinë e tij, kjo për shkak se pas plagosjes në Durrës ai ka mbetur i paralizuar. Një plumb nga tre që mori në trup i ka prekur shtyllën kurrizore dhe për pasojë ka paralizuar lëvizjen e këmbëve. Prej dy vjetësh Dritan Dajti është parë të lëvizë me karrocë duke u shtyrë nga një gardian i burgut ku mbahet i izoluar.

som

Në kushtet kur biznesmenët kanë mohuar një fakt të tillë si dhe kur mungojnë prova të tjera, që do të faktonin akuzën e gjobëvënies, prokuroria ka vendosur të pezullojë hetimet rreth kësaj çështjeje. Burimet shtojnë se, në rast se në të ardhmen nga policia dhe SHISH-i do të konstatohen prova, atëherë dosja do rihapet sërish për t’u hetuar

Gjykata ende s’ka dhënë dënimin për autorët e masakrës së 7 gushtit 2009

Dy vjet nga masakra, prej 3 muaj zvarritet gjyqi

Mungesa e vazhdueshme e avokatëve dhe imitimi i Dajtit me policët

Dje u mbushën plot dy vjet nga masakra e 7 gushti, kur në përpjekje për të arrestuar Dritan Dajtin mbetën të vrarë prej tij shefi i grupit të operacioneve speciale Fatos Xhani dhe kryeinspektorët Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj. Lidhur me këtë ngjarje prej 1 viti e gjysmë në Gjykatën e Krimeve të Rënda po zhvillohet procesi gjyqësor kundër Dritan Dajtit, kunatit të tij Ergest Xhoxhi dhe ish-policit të Durrësit Mariglen Muçaj. Gjatë kësaj periudhe gjykata ende nuk ka marrë një vendim për dënimin ose jo të Dajtit, për shkak se procesi ka hyrë në një maratonë të pafundme të shtyrjeve të seancave gjyqësore. Shumë herë gjykata u është drejtuar institucioneve të drejtësisë për marrjen e masave kundër avokatëve, në fakt vetë i pandehuri gjatë kësaj kohe ka ndërruar katër avokatë. Madje, në disa seanca ka pranuar të mbrohet dhe vetë, duke refuzuar avokatët mbrojtës. Fillmisht Dajti preferoi të mbrohet nga avokati Arben Qeleshi, por nuk shkoi shumë dhe bëri “divorcin” me këtë të fundit, duke pajtuar si avokat Sokol Koçiun, ky i fundit ish-i dënuar për dosjen “Kokaina”. Mirëpo duke qenë se gjykata nuk pranoi si mbrojtës avokatin Koçiu për shkak të mungesës së licensës, Dajti vendosi të mbrohet nga avokatja Ledia Ramo. Më pas edhe kjo e fundit dha dorëheqjen, duke bërë që herë pas here gjykata t’i caktonte Dajtit një avokat. Prej rreth tre muajsh në Gjykatën e Krimeve të Rënda nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, ku shkak kanë qenë mungesa e avokatëve mbrojtës. Vetë Dajti ka akuzuar agjentët e GOS, të cilët në rastet e mosparaqitjes në gjyq etiketohen nga ai si frikacakë dhe që s’duan të ballafaqohen me të në sallën e gjyqit. Procesi vijon me dyer të mbyllura, për shkak se ende nuk kanë përfunduar dëshmitë e agjentëve që arrestuan më 7 gusht të shumëkërkuarin Dritan Dajti. Pritet që procesi të rifillojë javën e parë të shtatorit, periudhë kjo kur kthehen nga pushimet dhe gjyqtarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›