Polici nuk paguan gjobën, pranon 100 ditë burg
19/05/2009 DURRES- Një ish-efektiv i policisë së komisariatit të portit të Durrësit ka vendosur të shlyejë me burg masën e dënimit që ka dhënë gjykata e rrethit gjyqësor në Durrës. Ajet M., 40 vjeç, i lindur në Kukës dhe banues në Tiranë është përballur dje me ish-kolegët e tij të disa viteve më parë, të cilët e kanë prangosur. Ai nuk ka pranuar të shlyejë gjobën sipas vendimit që ka dhënë gjykata e Durrësit, e cila me datë 14 prill 2009 ka rimarrë edhe një herë në dorë dosjen në ngarkim të këtij shtetasi. Ajet M., ish-efektiv i policisë së portit, është dënuar me gjobë nën akuzën e ushtrimit të korrupsionit pasiv për persona që ushtrojnë funksione publike. Ndërsa një akuzë e tillë i përket periudhës së vitit 2004, polici pasi ka kundërshtuar të paguajë gjobën ka shfaqur “dëshirë” për ta shlyer me burg. Kapërcimi i të gjitha afateve kohore për të shlyer detyrimin ka risjellë në tryezën e togave të zeza edhe një herë emrin e policit, të cilit i është konvertuar në burg shuma në 500 mijë lekë. Pesë vite më parë Drejtoria e përgjithshme e Doganave largoi nga puna 5 doganierë. Vendosja për herë të parë e kamerave të përgjimit në pikat kyçe zbuloi edhe përfshirjen e disa doganierëve dhe efektivave të policisë në afera korruptive apo në korrupsion pasiv. Kamerat e fshehta janë vendosur në pozicione dhe vende të paekspozuara duke regjistruar në shirit gjithçka që kishte të bënte me korrupsionin. Plot 16 efektiva të policisë dhe të Doganës janë regjistruar sipas policisë, duke marrë ryshfet apo duke heshtur përballë këtij fenomeni të jashtëligjshëm. Katër efektiva u vunë në kushte arresti, kurse 12 të tjerë u transferuan, por duke ruajtur kapelën në kokë.