Gjykata Administrative, dështojnë negociatat PD-PS
Jashtë vëmendjes së medias, janë zhvilluar dy seanca diskutimi me grupet e ekspertëve të të dyja palëve politike, por, pa rezultat.
TIRANË- Dështojnë përpjekjet mazhorancë-opozitë për gjetjen e konsensusit për projektligjin, që synon ngritjen e gjykatave administrative.
Në bazë të vendimit të mbledhjes së fundit të Komisionit të Ligjeve, jashtë vëmendjes së medias, në datat 6 dhe 7 mars janë zhvilluar dy seanca diskutimi me grupet e ekspertëve të të dyja palëve politike, aktorëve të tjerë të interesuar, si dhe partnerëve që asistojnë vendin tonë në fushën e ligjbërjes, në fushën e drejtësisë, por pa mundur që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për pikat, të cilat janë kontestuar deri më tani.
Për këto dy takime, vetë administrata e Komisionit të Ligjeve ka hartuar dhe paraqitur në këtë komision një relacion përmbledhës mbi ecurinë e bisedimeve në tryezë, duke evidentuar faktin se tashmë kanë shterur të gjitha mundësitë për arritjen e konsensusit.
Negociatat e para
Në takimin e parë, atë të datës 6 mars, kanë marrë pjesë ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, si nismëtare e këtij projektligji, ekspertët e EURALIUS-it, USAID-it, si dhe ekspertët e grupit parlamentar të PS-së. Siç edhe bëhet e ditur nga materiali i përpiluar, diskutimet gjatë këtij takimi duket se kanë qenë tepër të forta, pasi ekspertët e PS-së kanë kërkuar që diskutimin ta zhvillonin fillimisht në parim dhe jo të shqyrtonin komentet e bëra nen për nen për vërejtjet që kishin paraqitur më parë deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve.
Kështu, në këtë relacion, theksohet se ata kanë kërkuar që organizimi i drejtësisë administrative të bëhet me një ligj të plotë, pra formati i propozuar nga qeveria të ndryshojë dhe të përfshihet në të një strukturë e plotë dhe jo e cunguar.
Negociatat e dyta
Duke mos pasur asnjë rezultat gjatë ditës së parë, palët në debat janë mbledhur përsëri në një seancë të dytë diskutimi ditën e shtunë, më datën 7 mars, po përsëri në sallën ku zhvillon mbledhjet Komisioni i Ligjeve.
Por, duket se edhe kjo përpjekje ka dështuar, pasi, siç reflektohet edhe në materialin përmbledhës, ekspertët e PS-së kanë insistuar përsëri që për këtë projektligj të vendosen parimet kryesore për të ndërtuar një sistem të plotë gjykimi administrativ në një tekst të vetëm.
Për këtë arsye, ata kanë propozuar që grupi i përbashkët i ekspertëve t'i kërkonte një mandat të posaçëm nga Komisioni i Ligjeve, që kjo tryezë të merrte kompetencat e plota për të hartuar një projekt tjetër të plotësuar me procedurën e plotë të gjykimit, juridiksionit dhe me një kodifikim të plotë të rregullave të drejtësisë administrative.
Propozim i cili duket se i ka bërë negociatat të pamundura për të vazhduar më tej, pasi përfaqësuesit e qeverisë kanë refuzuar që të ndërmarrin një hap të tillë.