Gjykata e Apelit rrëzon ekspertizën e FBI-së
Gjykata e Apelit, e kryesuar nga gjykatësi Artan Broci dhe më anëtarë Gjin Gjonin dhe Edmond Gogon, në vendimin që ka dhënë për të lënë sërish në arrest shtëpiak Ndrea Prendin duket se ka rrëzuar qartësisht ekspertizën e FBI-së. E zbulon një fakt të tillë GSH, e cila ka publikuar vendimin e plotë të asaj dite, ku gjykata vë në dyshim vlefshmërinë e ekspertizës amerikane.
Por si e argumenton gjykata diçka të tillë? Sipas tyre, raporti i hartuar nga FBI ka firmën e një eksperti të quajtur Douglas P. Murphy, ndërkohë që vendimi për kryerjen e ekspertizës ka firmën e një eksperteje, të quajtur Heather Seubert. Në dosje nuk ka asnjë vendim për zëvendësimin e ekspertit, apo ndonjë deklaratë të ekspertit Heather Seubert të caktuar me vendim për heqje dorë nga ekspertimi si dhe nuk ka një vendim për caktimin e ekspertit Douglas P. Murphy, thuhet në vendimin e Apelit.
Siç shihet, ndërmjet akteve dhe provave të paraqitura nga organi i akuzës ka parregullsi dhe kontradikta të atilla sa i vënë në dyshim vlefshmërinë e këtyre akteve në kuptim të nenit 151/4 të Kodit të Procedurës Penale, vijon vendimi.
Ambasadori amerikan pati deklaruar në një intervistë se ata janë kujdesur që të bëjnë gjithçka në rregull, për të mos u lënë hapësirë gjykatave që të kapen pas këtyre gjërave për të rrëzuar të gjithë ekspertizën.