Gjykata e Lartë, pafajësi për Gazmend Dibrën
Mposhtet sërish Prokuroria, pafajësi për Gazmend Dibrën. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i Kolegjeve të Bashkuara në Gjykatën e Lartë, të cilat lanë në fuqi dy vendimet e dhëna më parë nga kolegët e dy shkallëve të tjera të gjyqësorit. I përfaqësuar nga avokati i tij, Dibra ka paraqitur të njëjtat argumente lidhur me akuzat e ngritura nga organ i akuzës. Çështja mbërriti në Gjykatën e Lartë pas apelimit të Prokurorisë për dy vendimet e pafajësisë të dhëna nga gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe Apelit. Në këtë mënyrë, Gazmend Dibra, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, ka mposhtur për të tretën herë organin e akuzës, pasi trupi gjykues la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, duke rrëzuar akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për skandalin e “Albatros”. Dibra akuzohej nga Prokuroria e Tiranës për “shpërdorim të detyrës”, pas përgjimit që iu bë nga krerët e kompanisë ajrore “Albatros”, në lidhje me ndërhyrjen e tyre tek ish-presidenti Alfred Moisiu, që të shkarkonte ish-prokurorin e Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Biseda është bërë me drejtorin e kompanisë ajrore "Albatros", Aleksandër Hoxha, nip i Moisiut. Sipas Prokurorisë, Gazmend Dibra kishte konsumuar veprën penale dhe për të vërtetuar këtë akuzë, përveç provave të tjera, organi i akuzës kishte në dorë edhe përgjimin e realizuar mes ish-drejtorit të Aviacionit Civil dhe Aleksandër Hoxhës. Pas publikimit të kësaj bisede, Prokuroria nisi hetimet ndaj Gaz Dibrës, i cili dha dorëheqjen, duke u vënë në dispozicion të hetimeve. Në fund të gjykimit, Prokuroria kërkoi dënimin e Dibrës me 1 vit burg, duke pezulluar për 2 vjet ekzekutimin e dënimit dhe një gjobë prej 800 mijë lekësh. Avokati dhe vetë ish-drejtori i Aviacionit Civil nuk e kanë pranuar akuzën, duke pretenduar pafajësi dhe një gjë e tillë u vërtetua edhe nga shqyrtimi gjyqësor. Përfundimisht tre shkallët e gjyqësorit rrëzuan pretendimet e organit të akuzës dhe provat e paraqitura, duke mbyllur njëherë e mirë këtë kapitull dhe duke i dhënë pafajësi Dibrës. Madje, edhe kaseta, e cila ishte dhe një nga provat që dispononte organi i akuzës, është hedhur poshtë si provë nga ana e gjyqtarëve të të tria shkallëve të gjyqësorit, pasi nuk ishte bërë në mënyrë të ligjshme. Pas këtyre tri vendimeve, tashmë kjo çështje mund të konsiderohet e mbyllur.