E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e fëmijës, kërkohen 2 vjet burg për mjekët Isufi e Shuteriqi

Mjekimi i pakujdesshëm dhe për pasojë vdekja e një fëmijë, Prokuroria u kërkon togave të zeza dënimin me 2 vjet burg për dy mjekët Bensar Shuteriqi e Ramzan Isufi. Pas 10 muajsh të mbërritjes së dosjes për gjykim, në përfundim të hetimeve, organi i akuzës mundi të japë mesditën e djeshme konkluzionet përfundimtare në ngarkim të dy mjekëve Bensar Shuteriqi dhe Ramazan Isufi, të akuzuar për vdekjen e fëmijës vetëm 16-muajsh, Ergest Dardha. Dy mjekët kryeqytetas akuzohen se për shkak të mjekimit të pakujdesshëm, ka ardhur vdekja e fëmijës. Gjatë seancave të zhvilluara në Gjykatën e Tiranës kanë dëshmuar mjaft persona, si dhe ekspertë mjeko-ligjorë që kanë bërë ekspertizën e fëmijës pas vdekjes dhe që kanë përcaktuar shkaqet e humbjes së jetës. Dy mjekët e pandehur nën akuzë janë njëri mjek kirurg dhe tjetri reanimator, të cilët do kryenin ndërhyrjen kirurgjikale tek foshnja 16-muajshe. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth dy vjet më parë, kur vdiq i mituri nga Maqellara e Peshkopisë, ndërsa dosja është dërguar për gjykim vetëm në shkurt të këtij viti, pasi organi i Prokurorisë ka kryer hetime ndaj dy mjekëve, nën akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”. Prindërit e foshnjës, Ergest Dardha, akuzon mjekët për vdekjen e fëmijës së tyre. Gjatë hetimit ka rezultuar se dy mjekët e QSUT-së, Ramazan Isufi dhe anestezisti Bensar Shuteriqi, do të kryenin ndërhyrjen kirurgjikale të të miturit, por pa arritur ende të nisnin operacionin ai ka ndërruar jetë. Burime nga procesi pohojnë se fëmija do t’i nënshtrohej një operacioni në rrugët e frymëmarrjes. Gjatë hetimit janë kryer tre ekspertiza mjeko-ligjore të dokumentacionit, në bazë të të cilave dosja është dërguar për gjykim. Ndërkohë organi i akuzës nuk përjashton mundësinë, që shkak i vdekjes të ketë qenë ndonjë krizë akute që fëmija 16-muajsh të ketë përjetuar në momentin e narkozës. Vetë mjekët e pandehur dhe mbrojtja e tyre, pohojnë se janë pikërisht tre ekspertizat mjeko-ligjore ato që i shkarkojnë nga përgjegjësia për vdekjen e fëmijës. Pas paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të organit të akuzës të përfaqësuar nga prokurori Hysni Mulaj, i cili pasi paraqiti rrethanat e ngjarjes kërkoi dënimin me nga 1 vit burg për secilin nga mjekët. Pritet që në seancën e ardhshme dy avokatët Fatmir Tartale e Avni Shehu të paraqesin fjalën e tyre përfundimtare, për t’ia lënë radhën shpalljes së vendimit nga gjyqtari Arben Kostandini.

Detaj

2 vjet burg u kërkua për dy mjekët e akuzuar për mjekim të pakujdesshëm, nga ku për pasojë vdiq fëmija

16 muajsh ishte i mituri nga Maqellara e Peshkopisë që humbi jetën pak para operacionit të dy mjekëve Shuteriqi e Isufi

Mjekimi i pakujdesshëm

Mjekimi i pakujdesshëm i të sëmurëve nga ana e mjekut ose personelit tjetër mjekësor, si dhe moszbatimi i terapisë ose i porosive të mjekut nga personeli mjekësor apo farmacist, kur ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të shëndetit, ka rrezikuar jetën e personit ose ka shkaktuar vdekjen e tij, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet burg

Masa

Vrasja e Qefalisë, i komunikohet masa në gjendje kome

“Arrest me burg” në gjendje kome. Kjo ka qenë masa e caktuar dje në spital për shtetasin Kujtim Bakalli, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, nga Gjykata e Tiranës, e cila i ka komunikuar masën e arrestit në kushtet spitalore, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Xhevdet Qefalia. Masa e arrestit i është komunikuar 45-vjeçarit në prani të avokatit të tij të caktuar kryesisht. Sipas burimeve, gjendja e të akuzuarit Bakalli ishte mjaft e rëndë, madje në momentet e caktimit të masës së arrestit ai ka qenë në gjendje kome. Gjyqtari ka caktuar këtë masë, pasi ka dëgjuar prokurorin e çështjes, Gjon Kodra, që ka deklaruar rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja, pasojat e saj, ndërkohë që avokati i caktuar kryesisht ka kërkuar një masë më të butë, duke pretenduar se edhe vetë klienti i tij ka mbetur me pasoja nga kjo ngjarje. Madje, po sipas burimeve, vetë i akuzuari nuk ka reaguar për asnjë moment gjatë pranisë së gjyqtarit, prokurorit dhe avokatit, dhe zhvillimit të masës në këto kushte. Sipas mjekëve, gjendja e Bakallit është mjaft e rëndë. Ky shtetas akuzohet se disa ditë më parë ka vrarë në Sauk të Tiranës 29-vjeçarin Xhevdet Qefalia, për motive pronësie. Kujtim Bakalli e ka qëlluar me çifte për vdekje viktimën, ndërkohë që mësohet që gjatë përleshjes të ketë mbetur edhe vetë i plagosur rëndë. Për këtë ngjarje u shoqërua edhe i biri i të akuzuarit, Endrit Bakalli, i cili u lirua disa orë më pas.

Trafiku i fëmijëve

Xhambazi mbron veten dhe akuzon të pandehurit e tjerë

I pandehuri Alfred Xhambazi është munduar gjatë gjithë seancës së djeshme të shfajësohet para togave të zeza, duke akuzuar dy bashkë të pandehurit e tjerë si fajtorë dhe përfitues nga trafiku. “Isha vetëm një ndërmjetës. Unë nuk kam përfituar para nga shitja e fëmijëve. Një fëmijë u shit për 3 milionë lekë”, - deklaroi ai gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku u procedua me pyetjen e të pandehurve. Tre të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim kanë trafikuar me qëllim shitjen disa fëmijë, duke përfituar nga 3 milionë lekë për çdo fëmijë të shitur. Roli i Xhambazit ka qenë i ndërmjetësit, ndërkohë që gjatë seancës së djeshme u përpoq të shfajësonte veten dhe të bënte fajtorë vetëm dy të pandehurit e tjerë.

Gjykatë

Gjyqi, 3 dëshmitarë kundër Krenar Ahmetit

Tre dëshmitarë janë paraqitur dje për të dëshmuar në gjyqin, ku i pandehur është Krenar Ahmeti, shefi i Qarkullimit Rrugor në kryeqytet. Tre dëshmitarët Hasan Neza, Bledar Bajri e Gëzim Imeri sollën para gjyqtarit versionin e tyre të ngjarjes, duke akuzuar Ahmetin për sharje, fyerje për episodet për të cilat ai akuzohet. Vetë Ahmeti ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, duke u drejtuar pyetje të ndryshme dëshmitarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›