Vendimi; Trafikoi të miturën, 10 vjet burg e 4 milionë gjobë për Kerën
Trafikoi të miturën, me të cilën ishte fejuar me mblesëri, Gjykata e Krimeve të Rënda e Apelit e dënon me 10 vjet heqje lirie dhe 4 milionë lekë gjobë. Togat e zeza shpallën dje fajtor 34-vjeçarin Alman Kera, i cili akuzohet për veprën penale të "trafikut të të miturve", duke e dënuar 5 vjet më pak nga sa e kishin dënuar kolegët e Shkallës së Parë, dhe 2 milionë lekë gjobë më pak se vendimi i mëparshëm. Sipas hetimeve të kryera nga ana e prokurorisë, Kera është fejuar me Sose A., 17 vjeçe, të cilën më pas e ka nxjerrë në rrugë, duke e shfrytëzuar si prostitutë nga ai vetë, në Kukës dhe më pas në Kosovë. Si iniciator për këtë fejesë është bërë shtetasi Vladimir P., i cili në vitin 2006 është njohur me të pandehurin në një lokal në Laprakë dhe i ka propozuar ta njohë me një vajzë nga Shkodra. Për këtë mblesëri do përfitonte një shumë simbolike prej 10 mijë lekësh. “Njohja do të bëhej me anë të kushëririt tim të parë, i cili njihte nga afër familjen e vajzës dhe qëllimi ishte fejesa dhe martesa e çiftit”, - ka rrëfyer mblesi para togave të zeza në sallën e gjyqit. Dy të rinjtë kanë rënë dakord dhe 34-vjeçari ka marrë në kryeqytet të miturën. Madje, sipas mblesit, “familja e vajzës më dha shumën prej 10 mijë lekësh, siç e ka zakoni, për njohjen e bërë”. Ndërkohë që në dëshminë e saj, Sose A. është shprehur se qëllimin e Kerës e ka kuptuar kur ishin në Kukës, aty ku dhe e ka shfrytëzuar për herë të parë si prostitutë dhe ka shkuar me disa klientë. Më pas është dërguar drejt Kosovës, ku ka punuar si kameriere në Ferizaj. “Aty jam larguar nga i pandehuri, pas keqtrajtimit dhe më pas jam riatdhesuar, ku kam bërë edhe kallëzimin”, - është shprehur vajza e trafikuar. Në vitin 2006, çifti i të rinjve zyrtarizon fejesën nëpërmjet një darke familjare dhe pas 4 muajve qëndrimi në Tiranë nisen drejt Kosovës. Në denoncimin që ka bërë në polici, 17-vjeçarja S. A., ka rrëfyer se e kishte kundërshtuar këtë udhëtim, pasi i trembej një trafikimi, por 34-vjeçari kishte këmbëngulur. Vajza ka kaluar nëpërmjet rrugës së malit dhe jo nëpërmjet pikës kufitare, si klandestine, duke mbërritur në Ferizaj, ku ka gjetur dhe një punë si kameriere. Më pas është kërcënuar dhe gjendur nën presionin e të fejuarit për të ushtruar zanatin e prostitutës, gjë që ajo e ka kundërshtuar, derisa është kapur nga policia dhe është riatdhesuar.