Gjykata e Sarandës lë në burg Besmir Ukën

Gjykata e Sarandës lë në burg Besmir Ukën, 23-vjeçarin nga Laçi, të dyshuar si autor të vrasjes me thikë të 31-vjeçarit Edmond Mullai, mesnatën e 19 dhjetorit në qendër të Sarandës.
Nën masa të rrepta sigurie, Besmir Uka, është sjellë paraditen e sotme në Gjykatën e Sarandës, ku u njoh me masën e marrë ndaj tij në mungesë, gjatë kohës që Uka ishte në kërkim. I dyshuari ka kërkuar mbrojtje, kryesisht pasi nuk ka mundësi ekonomike për caktimin privatisht të një avokati. Gjykata ka vendosur që Uka të mbrohej nga avokate Leze Zisi gjatë seancës. Në fund të saj, gjyqtari Thanas Mërkuri e njohu të dyshuarin Besmir Uka me masën e sigurisë "Arrest në burg" duke urdhëruar transferimin e tij drejt qelive të paraburgimit në Sarandë deri në përfundim të hetimeve.
Mësohet se 23 vjeçari Besmir Uka gjatë seancës së masës së sigurisë ka shpjeguar se "sherri ka nisur për një femër”.Duke vijuar më tej ai ka thënë: Në debate e sipër më kanë rrethuar duke qenë edhe persona të tjerë. Atëherë unë e kam goditur në kushtet e vetëmbrojtjes".