E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e argjendarive, pezullohet polici i sallës komando

Masa SHKB e Fierit heton punën e policisë në dy rastet e grabitjes

Pezullohet nga puna oficeri që nuk vlerësoi informacionin e grabitjes së dyqanit në qendër të qytetit të Fierit, mesditën e së martës. Ndërkohë SHKB-ja ka marrë nën hetim policët e sallës së komandës, që marrin telefonatat e qytetarëve në numrat 129 dhe 126. Ndonëse ende nuk ka emra autorësh për dy grabitjet spektakolare të regjistruara tri ditë më parë në qendër të qytetit të Fierit, policia lokale duket se është mjaftuar me marrjen e masave vetëm brenda radhëve të saj. Mësohet zyrtarisht se është pezulluar nga puna për një kohë të pacaktuar oficeri i policisë, i cili përgjigjet për situatën e rendit në qytetin e Fierit. Bëhet fjalë për efektivin R. Veliu. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Fierit, mësohet se oficeri Veliu është i vetmi objekt ndëshkimi i dy grabitjeve dhe se hetimet për këto ngjarje të rënda janë ende pa një orientim dhe pistë të qartë. Motivacioni i pezullimit nga puna ka qenë pikërisht mosgatishmëria e tij dhe e vartësve të tij për të ndërhyrë përballë një informacioni të dhënë lidhur me ngjarjen e grabitjes. Roli indiferent i policisë në të dyja rastet e grabitjeve është duke u hetuar edhe nga sektori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Fier. Burime zyrtare të SHKB-së së Fierit pohojnë për “Shqip” se janë duke marrë nën hetim edhe punonjësit e policisë që kanë qenë në shërbim gjatë ditës së martë në sallën e komandës dhe nuk u janë përgjigjur korrekt telefonatave shqetësuese. Bëhet fjalë për dy punonjës policie, si dhe për shefin e sallës së komandës, të cilët kanë shpërfillur kërkesat për ndihmë që u kanë ardhur nga shumë qytetarë, përfshi këtu edhe kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›