Komisioni i Ligjeve, sot në shqyrtim Sokol Çomo
Komisioni i Ligjeve do të marrë sot në shqyrtim kandidaturën e dytë të propozuar nga Presidenti Bamir Topi për Gjykatën e Lartë. Sokol çomo është kandidati i radhës që do të zhvillojë përpara Komisionit Parlamentar të Ligjeve seancën dëgjimore për të përfituar vendin vakant në Gjykatën e Lartë. Opozita do të jetë prezente sot në Komisionin e Ligjeve, por seanca dëgjimore do të jetë pikante edhe për mazhorancën, pasi këtë herë ka përballë si kandidat për Gjykatën e Lartë një ish-ministër të ish-qeverisë socialiste, në vitet 1998-2000. Partia Socialiste e ka cilësuar këtë proces si të montuar politikisht, duke rikundërshtuar ndryshimet që iu bënë rregullores së Kuvendit për votim të hapur të dekreteve të Presidentit. çomo do të pyetet nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës, para se të votohet në seancë plenare. Ashtu siç ndodhi edhe me kandidaturën e Medi Bicit, anëtarët e Komisionit të Ligjeve i kanë dërguar atij paraprakisht 28 pyetje, të cilave çomo i ka kthyer përgjigje me shkrim. Ndërkaq, të martën po para deputetëve të këtij komisioni do të jetë kandidati tjetër për Gjykatën e Lartë, Vexhi Muçmata. Të enjten, Kuvendi do të votojë më pas për tre kandidaturat për postet në Gjykatën e Lartë.
“Provimi”Komisioni i Ligjeve “do të shtrydhë” sot me pyetje kandidatin e radhës për një post në Gjykatën e Lartë, Sokol çomo. Anëtari i dekretuar nga Presidenti Topi për Gjykatën e Lartë, Sokol çomo, pyetjes nëse ka marrë procese hetimore apo politike përpara vitit 1990 i është përgjigjur duke theksuar se karrierën e tij si gjyqtar e ka nisur në vitin 1994. Pyetjes për mendimin e tij për rolin e Gjykatës së Lartë, kandidati çomo i është përgjigjur në kompleks, duke vlerësuar si punë që duhet parë me kujdes, ku ka pasur dhe të metat e saj. Në lidhje me Konferencën Gjyqësore, ai thekson se përpara se të bëhet ligji për Konferencën Gjyqësore, duhet zgjedhur modeli që duhet ndjekur - ai amerikan, apo ai europian. Për pyetjen se “cilin konsideroni si vendimin më të dobët të Gjykatës së Lartë”, çomo nuk shprehet konkretisht, por jep një përkufizim sipas të cilit, vendimi më i arrirë është ai që merret me unanimitet nga 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe më i dobëti ai që merret me numër të kufizuar të anëtarëve.
KarrieraSokol çomo, që prej vitit 2006 dhe në vazhdim, ushtron profesionin si avokat dhe është anëtar i Dhomës së Avokatëve në Tiranë. Prej 9 vitesh është pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës. Nga viti 2000 deri në 2006 ka qenë kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në karrierën e tij, çomo për dy vjet ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë në vitet 1998-2000.
#