E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata njeh PS91, krijohet partia e dytë nga gjiri i PS

Ndahet për së dyti PS, Edi Rama çon në krizë të thellë formacionin socialist
Më në fund Partia Socialiste merr goditjen e dytë të përçarje së saj të madhe. Pas LSI është PSV 91, partia më e re e cila del nga gjiri i Partisë Socialiste. Tashmë Partia Socialiste po kryen në mënyrë natyrale procesin e dekompozimit të saj ku shkatërruesi dhe firmosësi i ezaurimit të kësaj partie duket se është kreu i saj Edi Rama. Pas, LSI e cila u formua nga PS si rezultat i përplasjes midis Fatos Nanos dhe Ilir Metës, përplasje e cila përfundoi me përçarjen e parë të PS dhe për rezultat humbjen e zgjedhjeve të 3 Korrikut 2005. Tashmë përçarja e dytë si për koincidencë ndodh para zgjedhjeve të vitit 2009, përçarje e iniciuar nga politika sektare e kryesocialistit Rama ndaj socialistëve protagonistë që në krijimin e PS.  Dita e djeshme më në fund mbylli kaluarin e PSV më në krye Petro Koçin. Pas 7 muajsh, kërkesash ligjore të drejtë, e formale u regjistrua në Gjykatën e Tiranës, Partia Socialiste e Vërtetë, 1991 me kryetar Petro Koçin.
Që nga 24 Shtatori 2008, deri më 26 Shkurt 2009, uzurpatorët, të birësuarit e PS mëmë e frenuan, e penguan dhe e vështirësuan regjistrimin e partisë, bijë të të majtës. Të heshtur e në ankth, nismëtarë e firmëtarë duke ngjitur shkallët e gjykatës pas avokatit të zgjedhur të tyre përshpërisin tërë frikë. Po, sikur edhe sot, menaxheri i Edi Ramës, zoti Ruçi, dhe sekserët e tij me tërë miqtë e kushërinjtë në gjykatë, ta shëtisnin nëpër apel, Gjykatë Fakti e Kushtetuese për germa, stema, ngjyra apo viza e pika?. Pa asnjë dyshim se 5-10-15, apo 20% e të majtëve do të tretej tutje apo zhytej thellë në përgjumjen, indiferencën dhe mënjanimin e shthurjes të dëshpëruar të luftës brenda llojit.
U lexua vendimi, u regjistrua një vendim i vonuar dhe të gjithë panë në sy njëri-tjetrin. Të qetë zbritën shkallët, të gjithë telefonuan shokët e miqtë, nga larg u erdhi urimi, buzëqeshja dhe besimi se ishte e vërtetë. Nga bisedat e shkurtra e plotë seriozitet, qëmtuam këto mendime: Sot nis beteja shokë. Morëm përgjegjësi para gjithë njerëzve tanë. Ti ngjallim besim tërë të majtëve që ndihen të braktisur, të përjashtuar e të fyer. Ta kenë një derë të hapur, një dorë të ngrohtë. Edhe vonesat e pengesat kanë të mirën e tyre, lodhjet, shkundjet, përpunimet e blerjet, i filtrojnë radhët e të lëkundurve, të vegjëlve, interesaxhinjve, karremxhinjve, që nuk e duhen asnjë forcë serioze, politike e aq më tepër popullore e të qëndrueshme. Edi Rama dhe Partia Socialiste e nënshtruar humbi një pjesë të anëtarësisë së saj, të miqve dhe njerëzve të spikatur të saj me themele qysh nga viti 1991. Ajo e kishte mundësinë që për dy vjet rresht në vend të sherreve, të afronte bisedat, në vend të sharjeve të afronte miqësinë, në vend të deklaratave përçarëse të shtrinte dorën e pajtimit, në vend të diversionistëve të afronte bashkimin, në vend të intrigave dhe demagogjive farse të Edi Ramës të afronte kodin e marrëdhënieve dhe komunikimit me anëtarësinë.  Tani, e majta hipi në lavjerrësin, në telin e ekuilibrit gjysma me gjysmën. Të mëdhenjtë, i kanë ndarë kufijtë, por të vegjlit do të shkulin piketat e Zgobit e Bobit. Kupa e kokteilit 28 Qershor do pihet sipas porosisë, karriget janë vetëm aq, secili do marrë ose do pijë porosinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›