E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma, ulet numri i inspektorateve

Task Forca

Task Forca për reformën në sistemin e inspektorateve nën drejtimin e Kryeministrit Berisha miratoi skemën për zvogëlimin nga 33 në 12 inspektorate në vend. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha vlerësoi reformën e sistemit të inspektorateve dhe shprehu bindjen se modeli i përzgjedhur do të jetë një model suksesi.“Ne duhet të veprojmë me shpejtësi, sepse vetë situata aktuale e inspektorateve është çmobilizuese për to. Duhet që sa më shpejt inspektoratet të ristrukturohen, sa më shpejt të miratojmë ligjin horizontal të funksionimit të tyre, skemën e organizimit të brendshëm të tyre, por edhe pagat e shpërblimet”, u shpreh Berisha. Në këtë kuadër ai theksoi se brenda muajit prill të fillojë hartimi i ligjit horizontal dhe projektligji të dorëzohet në qershor. Po kështu, Kryeministri theksoi se pavarësisht nga të gjitha shkurtimet që bëhen për inspektoratet është e udhës që të mos lëvizet paga e punonjësve të tyre. “Nuk duhet të heqim asnjë qindarkë nga fondi i pagave të tyre, përkundrazi t’u japim trajtimin më të mirë të mundshëm mbi atë fond pagash që kemi për mbi 33 inspektoratet dhe të kuptojnë që vendosen në një stad të ri, të konsiderojnë edhe ato një fillim të ri”, porositi Berisha, duke kërkuar seriozitet në këtë proces.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›