E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatat, jo vendimdhënie larg syve të publikut

28/02/2009  Analiza, Kreshnik Spahiu insiston në punën me dy standarde

KORÇE- Gjykatat duhet të punojnë me të njëjtin standard dhe jo me dy standarde, ky ka qenë mesazhi i përcjellë nga ana e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, (KLD), Kreshnik Spahiu, gjatë analizës vjetore për vitin 2008 në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në Korçë. Lidhur me këtë çështje, Spahiu nënvizoi se, “Në gjykimin e çështjeve duhet të punohet me të njëjtat standarde, pasi po vihen re dy standarde. KLD, ashtu siç ka kërkuar respektimin e etikës dhe solemnitetit nga ana e gjykatave, ka kërkuar dhe standarde të njëjta. Por çfarë vihet re? Fatkeqësisht, në disa gjykata ka filluar dy standarde. Le të themi shqyrtimi i masave të sigurimit, ka gjykata, të cilat këto procese i zhvillojnë me dyer të mbyllura, ndërkohë që ka gjykata të tjera që i zhvillojnë me dyer të hapura. Por çfarë ndodh? Që të gjitha rregullat apo kërkesat e pritshmërisë e së publikut dhe KLD-së për më shumë transparencë dhe për rregulla mbi solemnitetin të mos kenë asnjë shans të zbatohen, sepse imagjinoni se çfarë mund të bëhet në një proces me dyer të mbyllura, ku çdo gjë zhvillohet larg syve të publikut dhe ku prirjet për paligjshmëri mund të zënë vend dhe të jenë dominante, përballë prirjes për të dhënë drejtësi”. Veç sa më sipër, Spahiu vuri në dukje se ndaj pushtetit gjyqësor nuk ekziston një klimë shumë miqësore. “Respektimi i etikës dhe solemnitetit nga ana e gjyqtarëve, tha Spahiu, bën të mundur rritjen e besueshmërisë autoritetit të gjyqtarëve”.

Ndërkohë spahiu ka theksuar dhe nevojën për të gjetur çelësin e zgjidhjeve në proceset gjyqësore më të shpeshta. “Ne jemi të interesuar të dimë se çfarë tendencash ka dhe cilat janë fenomenet kryesore të mosmarrëveshjeve në këto çështje, ashtu siç nuk duhet të anashkalojmë cilësinë e gjykimit dhe problemet që mbart procesi gjyqësor”. Gjatë kësaj analize doli në pah se në Gjykatën e Faktit dhe në atë të Apelit dominojnë veprat penale që kanë të bëjnë më kalim të paligjshëm të kufirit, të falsifikimet dhe të vjedhjeve, por ndërkaq Spahiu vlerësoi njëherësh edhe tendencën pozitive të këtyre gjykatave në gjykimin e çështjeve, duke vlerësuar faktin se aktualisht janë përmirësuar kushtet, veçanërisht në Gjykatën e re të Apelit. Në analizën e vitit 2008 ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqatës së avokatëve.

PROCESET

Ndërkaq, nga ana e drejtuesve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit u raportuan shifrat e një viti më parë, ku nga Gjykata e Faktit ishin shqyrtuar 1089 çështje më shumë në krahasim me një vit më parë dhe ishin dhënë 192 masa sigurie më tepër, ndërsa nga Gjykata e Apelit ishin shqyrtuar gjithsej 734 çështje, nga të cilat 462 civile dhe 272 penale. Megjithatë, Spahiu nënvizoi faktin se, “përtej shifrave dhe statistikave, për KLD-në e rëndësishme mbetet volumi i ngarkesës së gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve civile dhe penale, shpejtësia në gjykim, cilësia në gjykim dhe arsyetimi i vendimeve. Jo vetëm KLD-ja, por edhe komuniteti, vlerësoj, se ka një seriozitet në dhënien e drejtësisë, prandaj duhet të jemi të aftë në gjetjen e fenomeneve dhe tendencave që ka zgjidhja e mosmarrëveshjeve në këtë gjykatë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›