E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët, me dy standarde në dhënien e vendimeve

27/02/2009  Analiza në Elbasan, Spahiu u tërheq veshin togave të zeza: Testi juaj, Apeli

ELBASAN-Kreshnik Spahiu, nënkryetar i KLD-së, i ndjekur nga kreu i Gjykatës së Apelit Durrës ka marrë pjesë në analizën vjetore të gjykatës së Elbasanit. Nisur nga rezultatet e analizave në gjykata të tjera në vend, Spahiu ka bërë një përmbledhje të problematikave të konstatuara duke u ndalur në standardet që sipas tij përdorin gjykatat me njëra-tjetrën, por edhe brenda gjykatës midis gjyqtarëve për çështje të ngjashme.

Me dy standarde

“Kemi vënë re se në gjykatat shqiptare ka standarde të ndryshme, madje edhe në një gjykatë ka dy standarde në gjykim për çështje të ngjashme. Duhet hequr dorë një herë e përgjithmonë nga kjo. Shumë gjyqtarë aplikojnë masat e sigurimit me dyer të mbyllura, ndërsa në disa gjykata me dyer të hapura. Ka ardhur momenti që gjyqësori shqiptar të zbatojë disa parime që janë universale dhe taksative. Legjislacioni procedural të mbajë një standard duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga dy vendime të ndryshme për çështje të ngjashme dhe për këtë ftoj Gjykatën e Apelit të bëjë një skaner të mirë të rasteve kur ka vendime të ndryshme për çështje të ngjashme”. Kjo pikë ka ngacmuar kryeprokurorin e rrethit Elvin Gokaj, i cili ka sjellë raste konkrete kur gjyqtarët e Elbasanit kanë vepruar me standarde të ndryshme për çështje të ngjashme. Kështu janë rastet e vjedhjeve apo edhe të aksidenteve kanë qenë shembull ku prokurorët kanë kërkuar të njëjtën masë ndërsa gjyqtarët kanë dhënë dënime të ndryshme. Gjithashtu Gokaj ka theksuar se në rast kur është kërkuar gjobë apo burg për njërin apo për tjetër janë marrë parasysh edhe precedentët dhe rrezikshmëria e këtyre e personave. Deklarata e kreut të Prokurorisë është kundërshtuar nga gjyqtarët me kundërakuza. Këtë debat e ka ndalur Spahiu duke i kërkuar gjyqtarëve të kenë kujdes me dy standardet, pasi testi i tyre do të jetë Apeli.

Kapacitetet

Spahiu është ndalur edhe në problemin e ambienteve dhe të mbingarkesës së gjyqtarëve për Elbasanin. “Jemi në dijeni që këtu ka një numër të madh të gjyqtarësh, të cilët nga 15 me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë bërë 19 gjyqtarë. Ky objekt humb ndjeshëm seriozitetin pasi nuk mund të ketë drejtësi në godina si kioska, nuk mund të ketë drejtësi ku nuk krijohen kushtet optimale. Nuk mundet të ketë një drejtësi të pritur dhe të trajtuar me seriozitet në salla dy me dy ku nuk mund të qëndrojnë dot palët dhe jo më publiku apo mediat. Këshilli i Lartë i Drejtësisë krahas strategjisë për rritjen e cilësisë në gjykim, është i vendosur që edhe infrastruktura të jetë pjesë e këtij zhvillimi me investime dhe përmirësimin e kushteve të punës. Gjykata e Elbasanit është shembulli më i keq i mungesës së kushteve ku në një godinë shumë mjerane gjyqtarët janë të detyruar të zgjidhin mosmarrëveshje të rëndësisë së veçantë”. Siguria e gjyqtarëve ka qenë një tjetër ndalesë e Spahiut. Ngjarja e rëndë e dy javëve më parë ende vazhdon të jetë e pazbardhur plagosja e gjyqtarit Ardian Nuni, akt i cili ka qenë një precedent i sigurisë së gjyqtarëve për dhënien e drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›