Me Berishën vizat nuk hiqen
“Hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë”. Motoja e re e turit të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, përmban në vetvete ekuacionin e krizës së tanishme në Shqipëri. Edhe pse në daljet e veta publike ai ka bërë thirrje që “kriza të mos kushtëzojë liberalizimin e vizave”, duket se apeli që buron nga deviza e re në fakt e ngërthen marrëdhënien e kushtëzuar të Shqipërisë në një udhëkryq politik me atë që shpreson lëvizjen e lirë. Për këtë të fundit, kreu i opozitës ka ndërmarrë edhe një angazhim institucional, duke i adresuar letra në organizmat e Brukselit për liberalizimin për qytetarët shqiptarë. Në këtë kontekst parulla e adaptuar së fundmi, zbulon idenë se sipas PS-së përgjegjësia për zvarritjen e procesit bie mbi qeverinë e Sali Berishës. E përfshirë mes transparencës dhe rëndimit të situatës ekonomike, lëvizja e lirë përcillet për konsum të brendshëm si pjesë e faturës që kjo qeveri po u sjell shqiptarëve. Edhe pse qeveria duket më se e sigurt se procesi i liberalizimit është drejt vendimeve finale, opozita ka rimarrë argumentin për të nisur një fushatë sensibilizuese, thjeshtimi i së cilës do të ishte: “Me Sali Berishën nuk ka lëvizje të lirë”. Paralelizmi politik i këtij procesi vetiu shkon tek anëtarësimi i vendit tonë në NATO, ngjarje e cila, edhe pse shprehje e vullnetit politik të Aleancës, u përdor gjerësisht për konsum elektoral nga shumica e drejtuar prej Sali Berishës.
#